Politika uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin

Politika uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin

Politikanët shqiptarë uruan sot festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

“Mirëmëngjes gëzuar Kurban Bajramin”, shprehet Kryeministri Edi Rama në urimin e tij.

Presidenti Ilir Meta uron gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Nga Kryegjyshata bektashiane, Meta ka thënë se dita e sotme është një ditë vëllazërimi e solidariteti që na fton të gjithëve të bëjmë sakrifica për vëllazërim e bashkim.

“Kjo është një ditë vëllazërimi e solidariteti dhe na fton të bëjmë sakrifica për ta forcuar këtë vëllazërim dhe bashkim. Falenderoj udhëheqësit tanë për harmoninë që kanë treguar dhe përpiqen të mbajnë popullin të bashkuar rreth vlerave europiane. Edhe politika të mësojë dhe të marri shembull këtë frymë bashkëpunimi e besimi”, tha Meta krah krerëve të besimeve fetare në vend.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mesazhin drejtuar besimtarëve myslimanë thekson se “gëzimi i festës i gjen Shqipërinë dhe shqiptarët, ashtu si gjithë besimtarët myslimanë, nën ankthin e rrezikut të pandemisë së koronavirusit”.

“Por unë, ashtu si të gjithë ju, vëllezër besimtarë dhe qytetarë shqiptarë, kudo ku jetoni, jam i bindur se, me përpjekjet e kujdesin tuaj dhe me ndihmën e besimit, gëzimi do ta mundë dëshpërimin; shpresa do ta mposhtë frikën; drita do të ndriçojë mbi errësirën; qartësia do të shpërndajë mjegullat e sëmundjeve dhe trishtimit; ëmbëlsia e festës do të shijojë përmbi hidhërimin që shkakton pandemia; e mira do të përzërë të keqen nga jeta dhe vatrat familjare të çdo besimtari e shqiptari; lumturia do të tresë dhimbjen, dyert e shkollave e universiteteve do të rihapen dhe do të mbushen me zërat gazmorë të nxënësve e studentëve; prindërit do të çlirohen nga meraku njerëzor për fëmijët, të moshuarit do të rikthehen në jetën e tyre të qetë; bizneset do të kthehen në prodhimin dhe shërbimet me kapacitetet  e tyre të plota; përqafimi do t’i zërë vendin distancës e veçimit; gjallëria do të zëvendësojë pezmatimin  dhe jeta do të triumfojë mbi rrezikun pandemik”, – theksoi Ruçi.

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka uruar besimtarët mysliman me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Në urimin e tij, Gent Cakaj shprehet gëzuar ditën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë.

“Le të jetë kjo ditë e faljes, sakrificës dhe e dashurisë, burim frymëzimi për të gjithë ne, për të pastruar zemrat tona e bërë vepra të mira”, shprehet ai.

Po ashtu, Cakaj shton se “ky Bajram sot gjithsesi është pak më ndryshe për shkak të pandemisë. Vetë nevoja e kujdesit për njëri-tjetrin sot na detyron të respektojmë çdo rregull të institucioneve shëndetësore. Sidoqoftë, kjo nuk e zhbën domosdoshmërinë e përafrimit të zemrave mes njerëzve, lartësimit shpirtëror të myslimanëve dhe adhurimin e pakushtëzuar e të përulur ndaj Zotit. Urime të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë”.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha shprehet se “Kurban Bajrami është ditë e përkujtimit të sakrificës dhe dashurisë ndaj Zotit. E në këtë ditë padyshim ne kujtojmë dhe nderojmë klerikët tanë, patriotët që sakrifikuan gjithçka, madje dhe jetën e tyre për një të ardhme më të mirë për vendin e tyre me dashurinë për Zotin dhe atdheun”.

“Prandaj në këtë ditë të veçantë isha i lumtur të ndaja disa momente me familjarët e patriotit, luftëtarit dhe klerikut të shquar Sherif Osman Langu. Me adhurimin për Zotin dhe dashurinë për atdheun, Sherif Langu ia kushtoi jetën e tij çështjes shqiptare dhe besimit në Zot. Sherif Langu, ishte firmëtar i Pavarësisë dhe pjesëmarrës i kuvendit të Vlorës, luftëtar i paepur për çlirimin e trojeve shqiptare në fillimin e shekullit  të XX. Si patriot, klerik i lartë dhe aktivist i shquar i epokës së tij, Sherif Langu ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e vështirë të përballjes me copëtimin e trojeve shqiptare por dhe me regjimin komunist”, u shpreh Basha.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka uruar besimtarët mysliman me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Në urimin e saj, Kryemadhi shprehet: “për të gjithë motrat dhe vëllezërit myslimanë që sot festojnë, gëzuar Kurban Bajramin. Shëndet, paqe dhe begati për gjithë familjet shqiptare dhe Shqipërinë, shtëpinë tonë të përbashkët. Edhe në këto ditë përballje me vështirësi ekonomike dhe sociale, nuk duhet të rreshtim së besuari te e ardhmja plot shpresë nëse bëjmë akte të mira të frymëzuara tek besimi dhe harmonia me njëri-tjetrin”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy