Analisti nga Kosova, Ardian Arifaj, për takimin mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç në Ohër, ku pritet nënshkrimi i marrëveshjes mes palëve, nëse ky qytet ka ndonjë simbolikë, tha se paralelja më e afërt është ajo e Marrëveshjes së Ohrit për Maqedoninë e Veriut dhe implementimi i suksesshëm i saj.
Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN Tv, Arifaj tha se shpresohet që këtë të shtunë palët të merren vesh për këtë marrëveshje dhe se ajo që ka rëndësi nëse dakordësohet, është të implementohet në vijim.
Lidhur me refuzimin e përgjigjes nga Lajçak dhe Escobar, se çfarë do të ndodhë nëse dështojnë negociatat, Arifaj tha se ka pasur një presion të madh edhe nga shtetet anëtare të BE, nga vetë institucionet e BE, por edhe nga SHBA dhe se i dërguari Escobar ka qenë në Beograd, Prishtinë dhe do jetë në Ohër.
Ka një mobilizim të të gjithëve që palët të mos hezitojnë, por të pranojnë këtë plan që është në tavolinë. Do të jetë insistim i madh nga ndërkombëtarët që palët të mos ikin nga takimi pa dakordësim.
Nuk pritet që në Ohër të ketë nënshkrim të marrëveshjes, por të dakordësohen për planin e implementimit. Teksti i marrëveshjes është dakordësuar në Bruksel, ndërsa nënshkrimi duhet të bëhet në një ceremoni solemne në ndonjë qytet europian, por në fakt nesër çdo gjë duhet të përfundojë.
Presioni është i madh ndaj të dyja palëve edhe Kosovës dhe Serbisë. Nga ajo që po dëgjojmë, të dyja palët janë afruar dhe kanë shprehur dakordësinë për tu pajtuar me planin e marrëveshjes.
Javën e fundit duket se të dyja palët kanë pasur qëndrimin e njëjtë, kanë hezitimin e tyre dhe pala e Kosovës, ka hezitime për themelimin e komunave serbe, që është pikëpyetje e madhe, jo vetëm nëse duhet themeluar, por nëse do themelohet asociacioni a cenohet shtetësia e Kosovës, apo do ishte kali i Trojës që do e cenonte shtetin e Kosovës.
Ka hezitime dhe nga pala kosovare, ndaj duhet të ulen palët dhe të sqarohen këto marrëveshje. Opozita ka qenë e paqartë se çfarë po kundërshton, deri vonë është shprehur në favor të marrëveshjes, e kupton momentin ku ndodhet perëndimi.
Nuk mund të jetë kundër marrëveshjes që e kërkojnë partnerët e Kosovës, kritikat i ka orientuar nga Kryeministri Kurti.
Kur vjen puna për numrat në Kuvend, ka pasur dhe deputetë nga opozita që janë shprehur hapur se do e përkrahin marrëveshjen.
Edhe nëse do të duhej që marrëveshja të kalonte në Kuvend, partia në pushtet dhe disa deputetë të opozitës, kanë 80 vota për të miratuar marrëveshjen.
Edhe partitë opozitare, duhet të kenë parasysh se nëse shprehen hapur kundër marrëveshjes, janë duke u shprehur hapur kundër SHBA dhe BE.
Lidhur me përfitimet e Kosovës në rast të nënshkrimit të marrëveshjes, ai tha se sot në tavolinë ka shumë më pak për Kosovën se sa ka pasur para 3,5 apo 10 viteve më parë.
Nuk është njohja e Kosovës, nuk është ulësja në OKB, këtu është kritika e opozitës drejtuar Kurtit, se me veprimet e tij si opozitar ka vonuar shumë procese dhe kemi ardhur në një moment ku pozicioni i Kosovës është shumë më i lënduar, njeh asociacionin, por merr shumë më pak.
Kosova duhet të nxjerrë mësim se koha nuk është gjithmonë për ne dhe zhvillimet në botë, kanë bërë që Kosova sot të marrë shumë më pak nga sa mund të merrte para 3, 4 apo 10 vjet më parë.
Perëndimi nuk ka më durim, bota është duke u përballur me sfida të mëdha dhe presin që kjo pjesë e botës të mos i shtojë kokëçarjet.
Palët e kanë marrë mesazhin dhe pritet të sillen ashtu siç pritet nga të dyja palët.



