
Policia ruse po mban në burg tre motrat adoleshente, të cilat janë akuzuar për vrasjen e babait të tyre në një apartament të Moskës.
Motrat Khachaturyan, të moshës 17, 18 dhe 19, kanë rrëfyer për vrasjen, raportojnë mediat ruse, duke thënë se babai i tyre, Mikhail i torturonte ato.
Motrat citohen të thonë se i ka ndaluar ato të studiojnë, i kërcënonte me armë dhe i mbante ato si skllave.
Ato janë në paraburgim deri më 28 shtator. Trupi i babait të tyre u gjet më 27 korrik.
57-vjeçari kishte rreth 40 plagë me thikë, njofton faqja e internetit e lajmeve Vesti e Rusisë. Trupi i tij ishte shtrirë në korridorin e një blloku apartamentesh.
Hetuesit besojnë se Maria, 17 vjeç, e goditi atë rreth 35 herë ndërsa motrat e saj Angelina 18 vjeçe dhe Kristina 19 vjeçe e goditën në kokë në mënyrë të përsëritur me një çekiç dhe i spërkatën spray në fytyrën e tij.
Avokati i Marias, i cituar nga lajmet ruse të RBC, tha se nuk ka dyshime babai i kishte përdhunuar ndonjë prej tyre, por do të ketë një kontroll mjekësor që do të provojë nëse kjo ka ndodhur.
Nëse shpallet fajtore, motrat ndeshen me dënime të gjata burgu, por jo me burgim të përjetshëm. Më e vogla nga motrat që është Maria mund të dënohet me 10 vjet burg si e mitur.



