Debati mes Joe Biden dhe Donald Trump, kandidatë ne zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor në SHBA, ka sjellë reagime të forta, sidomos ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Gazeta e njohur “New York Times” e ka konsideruar si katastrofike paraqitjen e presidentit Biden, ndaj bordi editorial i ka kërkuar publikisht që ai të tërhiqet nga gara presidenciale.
Më herët edhe kolumnisti kryesor i "New York Times", Thomas Friedman, i prezantuar “si një mik i presidentit Biden” bëri të njëjtin apel duke e konsideruar Biden një njeri të mirë, por që nuk duhet të jetë pjesë e garës.
Performanca e Biden ka lënë të pakënaqur edhe shumë qytetarë amerikanë. Në një sondazh të Morning Cosult, del në pah se 60% e të anketuarve kërkojnë që Presidenti Biden të zëvendësohet, si shkak i performancës së dobët në debatin presidencial.

Edhe vetë Biden ka pranuar se nuk i përballon dot më debatet aq mirë sa dikur, e megjithatë ai këmbëngul se pika e tij e fortë është e vërteta.
Të njëjtën mbrojtje ka bërë edhe ish-Presidenti Barack Obama, i cilësuar si njeriu kryesor pas administratës aktuale amerikane.
Në një postim në rrjete sociale, Obama shkruan se ka edhe debate që nuk shkojnë mirë, megjithatë sipas tij, duhet zgjedhur me kujdes mes dikujt që ka luftuar për njerëzit e zakonshëm gjatë gjithë jetës së tij dhe dikujt që kujdeset vetëm për veten e tij, duke iu referuar kështu Trump.
Në SHBA kanë mbetur më pak se pesë muaj deri në ditën e zgjedhjeve, ndërsa votuesit do të kenë një mundësi tjetër për të vlerësuar kandidatët në debatin e radhës, i cili është planifikuar të mbahet më 10 shtator.



