
Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Manaj, thotë se deri tani situata e motit dhe reshjeve në qarkun e Vlorës paraqitet e qetë.
Situata është e qetë, përveç rënies së disa pemëve nga era e fortë, kryesisht në bashkinë Vlorë, në disa segmente, por nga ndërhyrja të gjitha akset janë të kalueshme.
Duke folur për studion e lajmeve të MCN Tv, Manaj tha se nga parashikimet deri në këto momente dhe orët në vazhdim strukturat janë të angazhuara dhe nuk pritet situatë emergjente.
Strukturat ne të shtatë bashkitë e qarkut janë në gatishmëri dhe në manovër të plotë për të përballuar çdo situatë të pritshme.
Pas mbledhjes së komisionit për mbrojtjen civile të gjitha strukturat e mbrojtjes civile janë në terren për të koordinuar gjithë situatat në rast përkeqësimi të motit, pasi deri tani reshjet janë në sasi shumë të ulët.
Kemi vërtetuar ndër vite që jo vetëm kemi kapacitet por edhe angazhimin dhe koordinimin me të gjitha bashkitë, me vullnetarët dhe strukturat për përballimin e situatave të fatkeqësisë natyrore, jemi në këmbë.
Situata në portin e Vlorës është relativisht e agravuar për shkak të erërave të forta dhe dy tragetet e ardhura nga Brindisi ndodhen në radë. Pritet qetësimi i erës për të ankoruar dhe zbritur pasagjerët.



