Avokatja Dorina Prethi, duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi protestën e banorëve kundër HEC-ve në Klos, duke u shprehur se Kuvendi i madh që do të mbahet sot nga banorët do të firmosë një memorandum që do dërgohet në Gjykatën Administrative. Ajo theksoi se me 705 firma memorandumi do t’i tregojë gjykatës se banorët janë kundër HEC-it dhe s’ka pasur konsultime publike, duke shkelur kësisoj ligjin. Prethi vuri në dukje se Kuvendi i sotëm synon të kthehet në një model që do të përhapet në Shqipëri, kudo ku banorët kërkojnë t’i menaxhojnë vet burimet e tyren ujore.
"Ka hasur fatmirësisht në një grusht të mirë banorësh, që janë të vendosur për ta mbrojtur ujin e tyre. Zona njihet si hambari i rrethit të Matit, është një zonë shumë pjellore, dhe varet nga ky përrua. Banorët na janë adresuar, gjithë ekipit të juristëve dhe avokatëve të lëvizjes Shqipëria Bëhet. Prej disa ditësh kemi depozituar një kërkesë-padi, ku është paditur Bashkia Klos dhe Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Natyrore. Këshilli Bashkiak ka dhënë dy vendime në shkelje ligjore. Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, organet vendore janë të detyruara për konsultime me grupet e interesit, dhe komunitetin. Bëhet fjalë për një pasuri publike dhe do të duhej që të ishte marrë mendimi i banorëve. Procedura s’është realizuar. Kemi kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimeve të Këshillit Bashkiak, të dhëna në një vit zgjedhor lokal. U është premtuar banorëve që uji do mbrohet, por uji s’është mbrojtur. Sa herë kanë nisur punimet ato janë ndaluar nga banorët. Kemi sot një kuvend të madh të banorëve. Por është prishur terreni pyjor, malor, prishja e shtratit të lumit. Si procedurë ajo ka nisur. Prandaj kemi kërkuar pezullim të punimeve deri në një vendim të formës së prerë. Banorët duan të vendosin edhe një model që po përhapet gjithandej. Masakra me lumenjtë dhe përrenjtë në Shqipëri po bëhet një realitet, dhe shumë banorë janë sensibilizuar edhe në zona të tjera. Ata duan të krijojnë një Kuvend dhe t’i menaxhojnë vet burimet e tyre ujore. Kuvendi do firmosë një memorandum nga banorët prezent. Kemi edhe një peticion të firmosur nga 705 banorë. Memorandumi do t’i depozitohet Gjykatës Administrative. Kërkojmë t’i provojmë gjykatës se banorët janë kundër HEC-it dhe s’ka pasur konsultime dhe dëgjesa”.



