Nga Armand Plaka
Në një artikull të një portali rus me titull: “Si të ruajmë një komb të vetëm/të bashkuar?-Rasti i Shqipërisë" ( 6 korrik 2016), na vjen një material relativisht i gjatë rreth Shqipërisë e shqiptarëve, duke u ndalur sidomos në fatin e tyre të këtyre dy shekujve të fundit.
Interesant është fakti se ndërsa vë në dispozicion dy-tre harta, e para i referohet një harte etnografike në frëngjisht, ku paraqitet shtrirja e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Ballkan në vitin 1861, e ku shihet qartë se shtrirja e tyre i tejkalon përmasat e asaj që në artikull më pas paraqitet si harta e Shqipërisë së Madhe, e aq më tëpër të asaj që në artikull cilësohet edhe si “Shqipëria Moderne” dmth e sotme.
Gjithashtu interesant është edhe përpjekja për të shpjeguar shpërndarjen religjoze të shqiptarëve, duke u vendosur atyre kufinj të mirëfilltë, e të mirëpërcaktuar në baza religjoze ( dallohen qartë nga ngjyrat në hartë dhe në legjendën e hartës), megjithëse e dimë të gjithë se ky fenomen, nuk njeh e nuk ka njohur kufinj të prerë më thikë, sidomos mes shqiptarëve muslimanë e atyre bektashinj, apo dhe mes atyre orthodoskë e atyre muslimanë, por pse jo edhe mes atyre muslimanë e atyre katolikë për shembull, siç është Shkodra.
Artikulli ka disa nota pozitive dhe ndalet sidomos në stacione të rëndësishme të historisë sonë të vonë, duke sjellë edhe portretet e Ismail Qemalit e Vaso Pashës, të vëllezërve Frashëri e madje edhe të alfabetit shqip, duke u përpjekur kësisoj të sjellë më shumë rreth shqiptarëve e historisë së tyre.
Në fund, ata shprehen ndër të tjera:“Në një Europë të trazuar, shqiptarët mund t’a shohin të ardhmen e tyre me një optimizëm të moderuar. Në terma afatmesëm, ata mund të zenë vendin që serbët zinin në Ballkan në vitet ’20 të shekullit të shkuar, si grupimi etnik më homogjen”.



