Sektori më i goditur nga pandemia është turizmi. Në mbyllje të sezonit veror, që i reduktoi të ardhurat nga turizmi me rreth 2/3, Shoqata e Turoperatorëve i është drejtuar qeverisë me një kërkesë për mbështetje financiare. Në studion e lajmeve në TvT, në një intervistë me Skype, Rexhep Kasmi, kryetar i Shoqatës së Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, tha se për turizmin, “lufta” sapo ka filluar. Kasmi tha se nëse sezoni veror pati njëfarë rigjallërimi, sezoni i ri dhe pritshmëritë për rritjen e përhapjes së infeksionit do ta përkeqësojnë gjendjen e të punësuarve në sektorin e turizmit.
“Pagë lufte është term që nuk ka vend në këtë situatë. Lufta nuk ka mbaruar. Lufta për turizmin rifilloi dhe pritet të mbarojë në fillim të qershorit që vjen. Atëherë si do të ndihmohet turizmi? Turizmi përmbledh shumë ndërmarrje dhe sekorë. Bregdeti bëri njëfarë kompensimi dhe një pjesë e të punësuarve në turizëm arritën të marrin disa paga. Ishte një kompensim, por jo zgjidhja. Jo të gjitha hotelet përfituan. Kemi hotelet e qyteteve me zero aktivitet. Shteti e ka të lehtë të verifikojë kush pati aktivitet duke e bërë këtë përmes tatimeve. Pas kësaj mund të vendosë kush duhet të ndihmohet dhe si të ndihmohet”, tha ai.
Kasmi tha se nga ana e qeverisë nuk ka pasur një vlerësim të saktë të kategorive më të dëmtuara nga pandemia. Ai solli shembullin e biznesit fason, i cili është mbështetur më shumë se turizmi, pavarësisht se kontribuon me të ardhura shumë herë më pak.
“Ne na mungon bashkërendimi dhe konsultimi me qeverinë se kush duhet të ndihmohet, si dhe sa. Nuk ka pasur pandemi që nga 70 80 vitet e fundit. Kush është ai specialist në qeverinë tonë që është vërtet i aftë të përballojë situata të tilla. Përveç stafit mjekësor nuk njoh figura që të garantojë studim që çdo njeri që është për t’u ndihmuar të ndihmohet. Fasoni nuk krahasohet me të ardhurat që sjell turizmi në Shqipëri. Turizmi ka 300 mijë të punësuar dhe nuk trajtohet”, tha ai.



