
Pas lirimit të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia, merita ka marrë edhe kryeministri hungarez Viktor Orban. Përmes një postimi në Facebook, ministri Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka informuar kryeministrin Viktor Orban për lirimin e policëve. Në deklaratë vihet në dukje se lirimi i ardhur pas kërkesës së Budapestit, është dëshmi e miqësisë me Beogradin. “Presidenti serb Aleksandar Vuçiç sapo e njoftoi kryeministrin Viktor Orbán se, sipas kërkesës së paraqitur në takimin e tyre javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t'i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë”, ka shkruar ai në Facebook. Kryediplomati po ashtu thotë se Orban vlerëson hapin e ndërmarrë nga presidenti serb “në një periudhë sfidash serioze, që është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë mes kombeve serbe dhe hungareze dhe e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve”.



