Analisti Mentor Kikia e konsideron protestën kundër kryeministrit Edi Rama si një lëvizje paqësore, ndërsa paralajmëron se mund të ketë përpjekje për ta dëmtuar atë nga brenda.
Në ‘MCN Live’ Kikia deklaroi se protesta 22-ditore kundër kryeministrit Edi Rama nuk mund të konsiderohet një ultimatum ndaj qeverisë, por një përpjekje për të kërkuar përgjegjësi politike nga kreu i ekzekutivit.
Nuk besoj se jemi në kushtet e një ultimatumi. Nëse protesta do të kishte një ultimatum, do të kishte diçka më zyrtare. Ajo është një përpjekje për të vënë para përgjegjësisë kryeministrin. E shtuna ishte protesta më masive e këtyre 23 ditëve dhe jo vetëm, por edhe ndër më të mëdhatë që nga vitet ’90, kur ndodhën ndryshimet politike të kohës. Ndaj nuk mendoj se ajo deklaratë ka qenë ultimatum.
Sipas tij, qeveria nuk po e konsideron ende largimin si një opsion, ndërsa përplasja mes palëve ka hyrë në një fazë tjetër.
Pjesa tjetër e akuzave janë normale, pasi sot nuk jemi në fazën që qeveria po e konsideron si opsion largimin, por ka filluar ajo lufta hibride për të cilën flitet mes qeverisë dhe protestuesve. Përplasja ekspozohet në publik me ndërhyrjet e policisë, por kjo është një protestë krejtësisht paqësore. E vetmja gjë që kanë bërë deri tani është bllokimi i trafikut rrugor, por nuk ka pasur penalizime nga këto bllokime.
Kikia theksoi se beteja tashmë është zhvendosur në rrjetet sociale, ku secila palë përpiqet të dominojë narrativën publike.
Tashmë lufta është përqendruar në rrjetet sociale, ku ka një përpjekje për të dominuar secili në mënyrën e vet përmes shpërndarjes së lajmeve të vërteta dhe të pavërteta, thashethemeve dhe materialeve të ndryshme. Është diçka që e prodhon vetë ky organizim dhe padyshim nuk mungojnë as rastet kur, në emër të protestuesve, ka përpjekje për ta dëmtuar protestën nga brenda, për të interferuar dhe për të prodhuar incidente.
Duke u ndalur te incidenti me flamurin e Izraelit, ai tha se ngjarja duhet të trajtohet si rast i izoluar dhe pa pasoja për imazhin e protestës.
Siç ishte ai incidenti me flamurin e ambasadës izraelite, me pasoja të mëdha potenciale, shpresoj që të jetë lokalizuar dhe të mos ketë jehonë. Është një incident i izoluar, por protestuesit duhet të ruhen nga të tilla incidente dhe të mos identifikohen shqiptarët si antiislamikë. Kjo protestë mund të jetë gjithçka, por jo antiislamike.



