Në një shkrim të fundit thuhet se Kosova arriti të ulë në mënyrë drastike papunësinë e të rinjve duke ndërtuar një sektor IT të orientuar drejt tregut global, bazuar te kostoja e ulët, aftësitë gjuhësore dhe lidhjet me diasporën. Ky model nuk u mbështet te investime gjigante apo politika spektakolare, por te shfrytëzimi praktik i avantazheve ekzistuese për të krijuar punë të mirëpaguara brenda vendit.
Në studion e MCN, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, tha se mënyra si ka funksionuar AKSHI e ka penguar krijimin e një klime të tillë në Shqipëri.
Nuk është se qeveria e Kosovës ka investuar qindra miliona euro apo ka pasur incentiva. Kujtoni Duranën. Tregu është rritur vetë, si pasojë e tregut të lirë. Qeveritë kur fusin hundët në sektorë të caktuar bëjnë dëme. Kujtojmë akshin. Mjafton që ta lësh tregun e lirë, të mos i zhysësh sektorët në korrupsion.
Shqipëria ka shpenzuar shumë herë më tepër se Kosova. Taksapaguesit kanë paguar disafish më shumë se Kosova, dhe kjo e fundit tashmë është një histori suksesi. Në Shqipëri ka pasur disa sinjale të zhvillimit të këtij sektori që kanë qenë zhvendosje e krahut të punës nga kompanitë e mëdha. P.sh. Lufthansa ka pasur disa shërbime që i merrte në Shqipëri. Por nuk është se Shqipëria ka pasur një ekosistem të startupeve shqiptare. Tregu është deformuar sepse është udhëhequr nga ideja se mund të fitohej më shumë nga tenderat korruptivë të AKSHI-t.
AKSHI po zhbëhet. Po të shikosh lëvizjet e fundit të qeverisë, AKSHI është i zhbërë. Por shkohet drejt një AKSHI që thjesht do të ketë një emër tjetër. Plasi skandali? E mbyllim pusetën dhe krijojmë Albanian Digital Solution. Është një fenomen që po ndodh jo vetëm në sektorin digjital, por kudo ku kanë pasur skandale korrupsioni. Kujtoni inceneratorët. U krijua një sha për mbetjet.



