
Partia Demokratike mbledh të dielën forumet më të larta të parties- Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar për të vendosur, me gjasë rrugën ku do të ecë partia më e madhe e opozitës pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Sipas njoftimit që u është shpërndarë anëtarëve të këtyre forumeve në rendin e ditës, ka diskutime dhe vendimmarrje për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.
Përtej analizës se çfarë ndodhi në zgjedhjet parlamentare, një prej vendimeve që Lulzim Basha e forumet duhet të marrin, lidhet me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.
Dhe çështja kryesore ka të bëjë me vetë mandatin e Bashës në krye të PD, mandat i cili mbaron në 22 korrik.
Të dielën pritet të qartësohet se çfarë rruge do të ndjekë Basha; a do t’i afrojë zgjedhjet apo do të presë qershorin për të nisur garën në parti; duke pasur parasysh se e diela shënon momentin e parë të ballafaqimit me kritikët e tij, kryesisht me anëtarët e grupimit “për PD”, grupim i cili kërkon largimin e Bashës nga drejtimi i Partisë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.



