Më shumë se 30% e ish-deputetëve të dalë nga lista e zgjedhjeve të vitit 2017 nuk të jenë më pjesë e ekipit të Lulzim Bashës në garën elektorale të 25 prillit.
Lista me 326 kandidatë për deputetë dhe kryetar bashkie të përzgjedhur nga Komisioni i Vlerësimit në Partinë Demokratike i është dorëzuar kryetarit Lulzim Basha dhe Sekretarit të Përgjithshëm. Burime të TVT në selinë blu bëjnë me dije se në listën e emrave të ish-deputetëve skualifikues është emri i Flamur Nokës, i cili ka mbajtur edhe postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë “Berisha”, ai i Aldo Bumçit, ish-deputetëve Endri Hasa, Ervin Salianjit, ish-deputetëve Nada Meçorapja, Lindita Metaliaj, Romeo Gurakuqi, Xhemal Gjunkshi, Fatbardha Kadiu, Gerti Bogdani, e shumë emra të tjerë.
Lista me 326 kandidatët e përzgjedhur pas votimeve dhe filtrit të fundit të Komisionit të Vlerësimeve do të kalojë për votim nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar të Partisë Demokratike, që do përzgjedhë 150 emrat fitues që do garojnë në zgjedhje.
Partia Demokratike nuk e ka bërë ende zyrtare listën e emrave të perzgjedhur që i janë çuar kryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm, por për çdo emër të skualifikuar mësohet se Komisioni i Vlerësimit kishte hartuar një raport vlerësimi.
Gjatë votimeve të anëtarësisë nga gara u skualifikuan edhe tre ish-deputetët Klevis Balliu, Astrit Veliaj, Hekuran Hoxhalli, si dhe tre ish-kryebashkiakët ai i Pogradecit, Tropojës dhe Kukësit.
80% e kandidatëve për deputetë do të përzgjidhen nga lista me 326 emrat që iu dorëzua kryetarit të demokratëve Basha, ndërsa 20% e emrave të listës finale do vijnë si propozime të kryesisë, duke mos përjashtuar mundësinë që shumë prej të skualifikuarve për shkak të kontributit politik në parti mund të jenë sërisht pjesë e ekipit me të cilin Basha do garojë në 25 prill në betejën elektorale.



