Autoqefalia e Kishës Ortodokse/ Bido: Tri rrymat që përcaktuan Kongresin e Beratit (VIDEO)

Autoqefalia e Kishës Ortodokse/ Bido: Tri rrymat që përcaktuan Kongresin e Beratit (VIDEO)

Një studim i titulluar “Kongresi i Beratit dhe shpallja e Autoqefalisë”, i kryer nga studiuesit Myrteza Sharra dhe Ardit Bido, sjell të përmbledhura informacionet lidhur me këtë moment kyç të historisë, veçanërisht komunitetit ortodoks. Në një intervistë për MCN TV, Bido thotë se në studim dalin në pah figurat kryesore, dinamikat, përplasjet, qëndrimi i shtetit etj., megjithatë përmbledhja e dokumenteve i shmanget interpretimit dhe ia lë lexuesit shpjegimet. Bido ndalet në tre rrymat, nga përplasja e të cilave u arrit në autoqefalinë e Kishës Ortodokse dhe përcaktoi Beratin si qytetin ku do të mbahej për herë të parë Kongresi Ortodoks Shqiptar.

Në Shqipëri ka pasur tre pole të ndryshme, që ishin rryma që e shihnin ndryshe si do të duhej të procedohej me autoqefalinë. Një rrymë që përfaqësohej nga Fan Noli, politikisht dhe në pikëpamje kishtare. Edhe pse ishte më e zëshmja dhe më dinamikja nuk kishte mbështetjen e shumicës së klerikëve dhe as të politikës. Ishte i mënjanuar Noli në këtë drejtim. Por për shkak të formatit si e artikulonte autoqefalinë e kishës kishte një mbështetje të gjerë popullore, sidomos ndër ortodoksët e Korçës, që ishin pararoja e nacionalizmit jo vetëm ndër ortodoksë, por nacionalizmit shqiptar mund të themi. Është zona ku u hap shkolla e parë shqipe. Noli mendonte se kisha ishte shpallur autoqefale që në Boston dhe mjaftonte të sillnin fronin në Shqipëri. Kjo rrymë ishte radikale, nuk respektonte rregullat kishtare, prandaj u mënjanua.

Rryma e dytë ishte ajo e nacionalistëve liberalë, që përfaqësohej nga pikëpamja fetare nga Visarion Xhuvani, doktor i shkencave teologjike në universitetin e Athinës, ndër të parët që e shqiptarizoi kishën në Elbasan, ku vepronte. Nga ana tjetër mbështetej politikisht nga thuajse të gjithë, sidomos nga ata që iu besua që do të zgjidhnin çështjen kishtare në Shqipëri, nga Koço Kote, Pandeli Evangjeli, Sotir Peci etj. Kjo rrymë që triumfoi në Kongresin e Beratit pretendonte se shteti shqiptar e kishte kishën autoqefale që me shpalljen e pavarësisë. Mjaftonte të deklarohej të shpallej dhe më pas do të njihej, që ndodhi në 1937.

Një rrymë e tretë më e vogël, ishte një rrymë konservatore e përqendruar në Gjirokastër. Ishte pro autoqefalizëm por kishte njëfarë frike të faktit që mundej që myslimanët dhe katolikët shqiptarë t’i mbivendoseshin. Kjo rrymë mëtonte që autoqefalia duhej të arrihej përmes negocimit. Përmes dakordësimit me Patriarkanën Ekumenike duke shmangur drejtuesit politikë joortodoksë në këtë drejtim.

Këto tre rryma ishin në përplasje të vijueshme. Dy rrymat më të mëdha ishin në përplasje shumë të fortë. Kjo bëri që të ishte e papranueshme për unitetin Korça, Durrësi, Elbasani apo Tirana. Prandaj përzgjidhet Berati. Berati përzgjidhet si vendi pasiv i betejës mes Visarion Xhuvanit dhe Fan Nolit, ku do të mundej të krijohej uniteti i të gjithë përfaqësuesve të autoqefalisë.   

Bido thotë se Kongresi i Beratit shmangu përfundimisht influencën e shtetit grek në kishën ortodokse shqiptare.

Është ndër momentet më kyçe sepse mundësoi që ky komunitet i rëndësishëm fetar të shmangej nga një influencë artificiale e shtetit grek, një influencë që tentoi t’i imponohej nga jashtë. Në këtë formë shmangu tentativat e destabilitetit. Është një triumf jo i nacionalizmit shqiptar, por i shtetit shqiptar dhe bashkësisë ortodokse shqiptare.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy