
Numri i të vdekurve nga shirat dhe përmbytjet e Ditës së Krishtlindjeve në Filipinet jugore ka shkuar në 13, ndërkohë që kërkimet vazhdojnë për 23 persona të tjerë të zhdukur pasi ujërat filluan të zvogëlohen.
Shumica e vdekjeve u shkaktuan për shkak përmbytjeve të shpejta pas dy ditësh shiu që prishën festimet e Krishtlindjeve dhe detyruan gati 46 mijë njerëz në strehimore, sipas agjencisë së fatkeqësive.
Në pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale tregohen forcat e rojës bregdetare, policisë dhe brigadës së zjarrfikësve duke kërkuar nëpër ujërat e thella dhe duke mbajtur viktima në shpinë. Disa rrugë u përmbytën për shkak të vërshimit të lumenjve.
Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit janë duke vazhduar, ndërsa dëmet në të korra dhe njësitë e blegtorisë dhe shpendëve janë ende duke u vlerësuar.
Kështu deklaroi Carmelito Erai, kreu i shërbimit të reagimit emergjent në Clarin City, provinca Misamis Occidental, për radiostacionin DZBB.
Filipinet konsiderohen të jenë ndër vendet më të prekura nga efektet e ndryshimeve klimatike dhe shkencëtarët paralajmërojnë se stuhitë që godasin arkipelagun do të bëhen gjithnjë e më të egra me rritjen e temperaturës së planetit.



