
Presidenti i FSHF, Armand Duka, beri një analizë të futbollit shqiptar deri në këtë fazë të sezonit.
Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Duka deklaroi se diferencat mes skuadrave në Superiore janë të vogla dhe është e vështirë për të bërë parashikime.
Në lidhje me VAR-in, numri 1 i FSHF tha se ka minimizuar gabimet e arbitrave.
Mendoj se në kampionat diferencat janë të vogla mes skuadrave. Madje edhe me skuadrat e Kategorisë së Parë. Diferencat janë kaq të vogla, sa është e vështirë për të parashikuar ndeshjet, në shtëpi apo edhe jashtë. Diferencat e vogla, sjellin rezultate të paparashikueshme dhe nuk mund të them se janë gabime të skuadrat. Partizani bëri 5 ndeshje pa fituar dhe përsëri janë në vendin e parë. Kështu e shikon garën me më shumë emocion dhe me surpriza. Mendoj se është mirë për futbollin. Nuk e di nëse është e mirë për të konkurruar në kupat e Europës.
Vetëm sezoni 2021-2022, ka qenë jo i mirë në Europë. Në këtë edicion duhet të shikojmë nëse do të mund të arrijnë diçka më shumë.
VAR-i ka minimizuar gabimet e mundshme të arbitrave apo ato gabime fatale. Kam minimizuar shumë edhe kontestimet e pjesëmarrësve në garë. Ka pasur një moment në fillim të kampionatit, kur gjyqtarët nuk kanë respektuar maksimalisht protokollin e VAR-it. Pas kësaj, u bë një analizë e thellë dhe u kërkua që të respektohej. Nuk kemi pasur më raste skandaloze si ato tre në fillim, që nuk u respektua protokolli.
I pyetur për dënimet e Disiplinës, Duka tha se gjithçka është bërë sipas rregullores. Në lidhje me kontestimet, ai deklaroi se skuadrat në fund të sezonit e kanë të vështirë të pranojnë rezultatet, ndërsa për akuzat nga Flamurtari në lidhje me ndeshjen me Dinamon, Duka u shpreh se kuqezinjtë meritonin një të kuq në atë takim, ndërsa penalltia sipas tij ishte e drejtë.
Asnjë klub dhe asnjë ekip në Shqipëri, e kanë të vështirë të pranojnë rezultatin. Asnjë nga skuadrat nuk e pranon dhe shpesh e humbin qetësinë dhe në javët e fundit bëhen më shumë agresivë në mënyrat e tyre, për të ruajtur statusin në nivelin ku janë.
Në derbin e fundit janë thyer 6 mijë stola. Është mëkat të dëmtohet në atë mënyrë. Kemi stadiumin më të mirë në rajon. Përveç kësaj, kishte edhe fishekzjarrë. Të gjithëve na përlqen ta shikojmë derbin në “Air Albania”, por jemi dëshmitarë të ndeshjes me Poloninë jashtë dhe nuk kishte asnjë parregullsi. Këtë duhet të bëjmë edhe ne në Shqipëri.
Komisionet e Disiplinës, nuk kanë dëshirë të marrin masa, por janë të detyruar për të respektuar rregullat. Kur ka shkelje do merren masa. Është detyrë e tyre që të respektojnë rregulloren. Kontestimet dhe diskutimet janë nga më të ndryshmet pastaj. Njerëz që bëjnë kompetentin dhe pretendojnë që i dinë të gjitha.
Idrizi i Flamurtarit i pakënaqur. I kam parë të gjitha shënimet dhe ajo ndeshje ku ka qenë shumë korrekte. Flamurtarit nuk i është dhënë një karton i kuq. Ka pasur kontestime të shumta për penalltinë, që për mua ishte e saktë. Çdo kontakt në zonë është penallti, nuk ka lidhje topi. Në atë rast, ndërhyrja ishte e rrezikshme dhe ishte penallti. Unë i respektoj të gjithë ata që kontribuojnë në futboll. Idrizi e mendon si një ndeshje të vjedhur. Ndonjë tjetër i hedh edhe pak benzinë dhe e tërbojnë akoma më shumë.
Duhet bërë VAR edhe në Kategorinë e Parë. Garë ëshët edhe ajo. Ne do përpiqemi që ta shtrijmë në të gjithë futbollin. Në një të ardhme të afërt do të jetë. Duhet të fillojë.
Niveli i lincencimit ndryshon vit pas viti, për të arritur në kushtet ideale. Janë disa kolona të detyrueshme. Licencimi nuk është vetëm në Superiore, por në të gjitha nivelet e futbollit. Vit pas viti ngrihet steka.



