
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 114 vota pro dhe 1 abstenim projektrezolutën “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste bashkuan votat në një nga rastet e rralla të konsensusit politik, duke mbështetur së bashku projektrezolutën për integrimin europian.
I vetmi deputet që abstenoi ishte Bujar Leskaj.
Rezoluta parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Dokumenti thekson nevojën për dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, me synim garantimin e një konsensusi kombëtar mbi prioritetet evropiane.
Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i Shqipërisë angazhohet të forcojë në mënyrë të drejtpërdrejtë rolin e tij në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare dhe të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Nga ana tjetër, opozita angazhohet të marrë pjesë plotësisht në jetën parlamentare, duke respektuar standardet demokratike, Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Të dyja palët u angazhuan gjithashtu për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit institucional.



