Një shpërthim me tritol në një biznes në pronësi të Endri Meksit në Tiranë ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa avokati Cakrani ka ngritur akuza të rënda ndaj institucioneve të rendit dhe drejtësisë në vend.
Në “MCN Live”, ai e krahasoi situatën me Italinë e viteve ’80, duke e cilësuar ngjarjen si një paralajmërim tipik të grupeve kriminale.
Kur pashë lajmin në media për tritolin, më shkoi mendja te Sicilia e viteve ’80, kur mafia përdorte shpërthimet si një njoftim paraprak për të treguar se kishte nisur veprimin. Ne sot po jetojmë në një realitet të ngjashëm.
Shohim një polici që, mbi të gjitha, është indiferente ndaj akteve të tilla mafioze dhe kriminale. Ky indiferentizëm, sipas meje, nuk është i rastësishëm, por vjen si pasojë e urdhrave që ndikojnë strukturat e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit sot, për të mos folur më pas për prokurorinë, e cila duket e paaftë dhe inekzistente për të zbardhur ngjarje kaq të rënda, nuk po jep përgjigjet e nevojshme. Nuk kuptoj çfarë provash të tjera duhen kur një shpërthim me tritol ndodh në mes të Tiranës.
Për mua, urdhri është dhënë nga grupe kriminale që komandojnë policinë. Kjo e bën policinë një organizatë kriminale të legalizuar. Rasti i Meksit duket i dirigjuar dhe ka shumë gjasa të mos zbardhet nëse mbetet në dorë të prokurorisë.
Ky ishte një paralajmërim, pasi zakonisht pas vendosjes së tritolit vjen përshkallëzimi i dhunës. I uroj Endri Meksit të tregojë kujdes maksimal, sepse jetojmë në një kohë të ndikuar nga elementë mafiozë.
Nuk bëhet fjalë për frikë, por për kujdes, pasi situata më duket tipike mafioze, si ajo e Sicilisë së dikurshme.



