
Kryhet ekzekutimi i parë i një protestuesi në Iran. Gjyqësori i Republikës Islamike ka njoftuar se është ekzekutuar Mohsen Shekar, një i ri i arrestuar gjatë protestave.
I riu akuzohet se ka bllokuar rrugën, ka shkaktuar shqetësime, ka shkrepur armën me qëllim vrasjen dhe ka plagosur me dashje të një oficeri gjatë detyrës.
Seanca për caktimin e dënimit, u mbajt më 10 nëntor.
Protestuesit paralajmërojnë se të njëjtin fat mund të kenë edhe demonstruesit e tjerë, për shkak se rreth dhjetë persona janë dënuar me vdekje për përfshirjen e tyre në protesta.
Irani është përfshirë nga protestat që nga 16 shtatori i kaluar, kur 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq pasi u arrestua nga policia e moralit, për mos mbajtjen e duhur të shamisë.
Të paktën 475 persona u vranë gjatë protestave, sipas Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran, të cilët po monitorojnë protestat. Ndërkohë mbi 18 mijë persona janë arrestuar deri më tani.



