
Inspektori i IKMT në Drejtorinë Rajonale Kukës ka përfunduar në pranga, pasi ka kërcënuar drejtorin rajonal të IKMT-së Kukës për shkak të një aktkonstatimi. “Blutë” kanë proceduar po ashtu edhe një shtetas që kishte kryer gërmimin e dheut në zonën e fshatit Krenzë, kushëri i të arrestuarit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, shtetasin D. H., 46 vjeç, banues në Kukës, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës.
Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës, shtetasit B. T., se është kanosur për shkak të detyrës nga shtetasi D. H., në lidhje me një aktkonstatimi për gërmimin e tokës në fshatin Krenzë, nga shtetasi M. L. (djali i xhaxhait të të arrestuarit).
Në vijim të veprimeve, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. L., 33 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, i cili kishte kryer gërmimin e dheut në zonën e fshatit Krenzë”.



