Juristi Erion Begaj shpjegoi në edicionin e lajmeve në MCN TV si do të funksionojë marrëveshjen e pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë. Begaj tha se do të mblidhen vitet totale të kontributeve në Shqipëri dhe Itali. Ai shtoi se qytetarët do të kenë dy llogari bankare të ndryshme, ku do të derdhen të ardhurat nga shteti italian dhe ai shqiptar.
“Funksionimi i sistemit do të vijë nëpërmjet mbledhjes së viteve të kontributeve që qytetarët kanë pasur këtu në Itali, por edhe atyre që kanë pasur më parë në Shqipëri. Kjo do vijë përmes një sistemi, me algoritëm individualë, do shkarkohen vitet e kontributeve që kanë patur në Itali, do shkarkohen nga e-Albania edhe vitet e kontributeve në Shqipëri, dhe këto do bëjnë shumën e viteve të kontributeve, që duhet të jenë minimalisht 20 vite.
Do kenë dy numra llogarish, ku do derdhen të ardhurat nga shteti shqiptar dhe nga shteti italian. Bashkimi i pensionëve, shuma do mblidhet për t’u dhënë të drejtë për të aplikuar për pension, kurse pagesa do bëhet në dy llogari bankare të ndryshme, sepse edhe kostot u përkasin dy instituteve të ndryshme.
Kategoritë kryesore janë qytetarët shqiptarë që prej vitesh punojnë dhe kontribuojnë në Itali, që për një ngërç institucional, s’u jepet ai 20 vjeçar. Dikush që ka kontribuar 10 vjet në Shqipëri dhe 15 në Itali, ka 25 vite në total. Ky ligj prek 500 mijë shqiptarë.
E njëjta gjë vlen për italianët që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Çdo gjë do bëhet me aplikim online, që do lehtësojë jo vetëm procedurën, por edhe kohën. Më 1 qershor do vihet në jetë gjithë kjo marrëveshje, nëse s’do ketë problematika teknike”.



