Qarku i Lezhës ka kaluar sërish një natë të vështirë si pasojë e motit te keq me reshje te dendura shiu. Në zonën e Tales, rritja e nivelit të ujit të lagunës shkaktoi dëmtim të argjinaturës, duke bërë që uji të deportojë drejt zonave të banuara.
Gjatë gjithë natës, mjetet e tonazhit të rëndë kanë punuar për forcimin e argjinaturës me qëllim minimizimin e pasojave të mëtejshme. Banorët thonë se masat duhen marrë në kohë me diell dhe jo kur vërshon uji, në mënyrë që të mos ndodhen në këtë situatë.
Shteti e ka fajin, kriminalitet. Ajo që është e drejtë do e them, le të më pushkatojnë, unë kam hallin e familjes, se bagëtitë kanë kryer punë. Vetëm po erdhi ndonjë avion prej Amerike dhe sjell rërë e gurë.
Ndërkohë, situata ka qenë problematike edhe në Mirditë, ku aksi rrugor Rrëshen-Bukmir ka pësuar shembje në disa pika, duke rrezikuar bllokimin e qarkullimit. Punëtorët dhe mjetet kanë punuar gjatë gjithë natës për të mbajtur rrugën të hapur dhe të kalueshme.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, dhe Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, deklaruan se ky segment rrugor ka pasur prej kohësh problematika të shumta, të cilat janë përkeqësuar pas reshjeve intensive.
Rruga Rrëshen-Bukmir është një arterie e rëndësishme, pasi i shërben qindra banorëve dhe lidh fshatrat e Njësisë Administrative Kaçinar me qendrën urbane.



