Fico: Asgjë e keqe pasja e shumë bar-kafe. Jahja: Hapen pa studiuar tregun. Gjyriqi: Shumica gjenerojnë vetëm një pagë (VIDEO)

Fico: Asgjë e keqe pasja e shumë bar-kafe. Jahja: Hapen pa studiuar tregun. Gjyriqi: Shumica gjenerojnë vetëm një pagë (VIDEO)

Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me numrin më të lartë të bareve dhe kafeneve për frymë. Një fenomen që shpesh shoqërohet me perceptimin se shqiptarët preferojnë të kalojnë kohën në kafene, por sipas ekspertëve, pas kësaj prirjeje fshihen arsye shumë më të thella ekonomike dhe sociale. 

 

Ata argumentojnë se hapja e një lokali është bërë një nga format më të lehta të vetëpunësimit, ndërsa paralajmërojnë se tregu nuk mund të mbajë pafundësisht një numër kaq të madh aktivitetesh.

 

Eksperti i zhvillimit të qëndrueshëm, Fatos Fico, thekson se fenomeni nuk duhet parë vetëm si pasojë e kulturës së konsumit, por si reflektim i mënyrës se si është zhvilluar ekonomia shqiptare.

 

Është një diskutim interesant, sepse mund të duket i thjeshtë, por nuk është. Shpesh themi se njerëzit nuk duan të punojnë dhe rrinë në kafe, por ky numër i madh lokalesh është pasojë e mënyrës se si është zhvilluar ekonomia dhe ka edhe aspekte sociale. Në vetvete nuk është gjë e keqe që kemi një numër të lartë baresh dhe kafenesh, madje në këtë drejtim krahasohemi edhe me Spanjën. Tërheqja e shqiptarëve drejt këtij sektori tregon se njerëzit duan të punojnë, kanë prirje të bëjnë biznes dhe nisin aktivitetin që munden, si hapja e një bari apo kafeneje. Nuk kërkohen investime apo njohuri të mëdha dhe kjo është pozitive. Por sa e qëndrueshme është kjo rrugë dhe nëse duhet të mbështetemi vetëm tek ajo, mbetet për diskutim. Me një treg të vogël, me popullsi në rënie, edhe pse turizmi po rritet, një numër kaq i madh lokalesh nuk mund të jetë i qëndrueshëm. Me rritjen e kostove dhe çmimeve, afatgjatë shumë prej tyre do ta kenë të vështirë të mbijetojnë. Do të ishte e rëndësishme që politika të nxiste përdorimin e prodhimeve vendase në këto biznese, pasi kjo do të krijonte më shumë të ardhura për ekonominë.

 

Për kreun e Shoqatës së bareve dhe restoranteve Henri Jahja, numri i lartë i lokaleve lidhet me perceptimin se ky është biznesi më i lehtë dhe më fitimprurës, por realiteti, sipas tij, është krejt ndryshe.

 

Në çdo 10 klientë që hyjnë në një bar apo restorant, nëntë prej tyre mendojnë se do ta bënin më mirë atë biznes se pronari. Shqiptarët e konsiderojnë bar-kafenë si biznesin më të lehtë të mundshëm. Për këtë arsye ne shpesh nuk e përjetojmë turizmin vendas, por zgjedhim të dalim jashtë vendit sepse mendojmë se nuk marrim shërbimin për të cilin paguajmë. Edhe zyrat tona historikisht kanë qenë kafetë. Ka mbetur ende mentaliteti i viteve '90, kur një filxhan kafe kishte një çmim të caktuar dhe nuk llogariteshin kostot reale. Shumë njerëz besojnë se normat e fitimit janë shumë të larta dhe prandaj priren të hapin lokale. Problemi është se sapo hapet një bar, menjëherë hapen edhe dhjetë të tjerë pranë tij. Nuk respektohet raporti ofertë-kërkesë, bizneset konkurrojnë mes tyre për të njëjtët klientë dhe më pas mbeten pa u paguar punëtorët, taksat dhe detyrimet. Kjo krijon një ekonomi informale që nuk i shërben askujt.

 

Kreu i Shoqatës së biznesit të vogël, Blerina Gjyriqi vlerëson se kufizimi i mundësive për biznesin e vogël ka shtyrë shumë sipërmarrës drejt hapjes së bareve dhe kafeneve, pasi ato kërkojnë investim më të ulët dhe janë më të lehta për t'u administruar.

 

Biznesi i vogël vite më parë kishte më shumë hapësira për t'u zgjeruar, ndërsa në dhjetë vitet e fundit shumë aktivitete janë mbyllur. Monopolizimi i tregut ka bërë që bizneset e vogla të kenë më pak mundësi. Bar-kafetë kërkojnë një kapital fillestar jo shumë të lartë dhe mund të hapen edhe nga sipërmarrës të vegjël. Për shumë familje, që nuk kanë parqe apo hapësira të tjera publike, kafeneja është bërë vendi ku kalojnë kohën jashtë shtëpisë. Edhe menaxhimi i një bar-kafeje është më i thjeshtë se ai i një restoranti. Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore dhe madhësia e tregut shqiptar tregojnë se kjo prirje nuk do të jetë afatgjatë. Shqipëria nuk ka treg për të përballuar kaq shumë lokale dhe shumica e tyre arrijnë të gjenerojnë vetëm të ardhurat e nevojshme për një pagë mujore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy