
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani komentoi gjithashtu shkarkimin e gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani. I ftuar në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, Metani tha se pozicioni i gjyqtarit ka peshë të madhe dhe duhet të artikulojë drejtësi edhe kur sillet.
I pyetur nëse gjyqtarja është gjykuar për veprime që i përkasin jetës private inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se veprimet e saj janë kryer në zyrë dhe nuk mund të jenë të jetës private.
“Kur një subjekt ka ankesa për një proces apo gjyqtar ka të drejtë të dërgojë një ankesë tek inspektoriati i drejtësisë. Mënyra e dytë janë inspektimet tematike, që fokusohet në fenomen. Unë kam vepruar me akte kur filloi hetimi i çështjes. Situata ishte e nderë dhe publiku meritonte një përgjigje të shpejtë. Për ta dhënë përgjigjen nuk mund të flasësh me komente. Ne kemi bërë një hetim të plotë për dy ditë dhe i është dërguar këshillit për tre ditë. Hetimi është bërë në mënyrë të plotë dhe nuk u gjet mangësi dhe votoi unanimisht për pezullimin e magjistrates nga detyra. Qëndrimi i Inspektoriatit Publik është bërë publik sepse shkelja e atij niveli nuk meritonte një masë tjetër. Veprimet e saj janë kryer në zyrë dhe nuk mund të jenë të jetës private. Gjyqtari jo vetëm duhet të japë drejtësi por duhet të ngjallë besim. Pozicioni i gjyqtarit ka një peshë shumë të madhe që të merr dhe të jep të drejta dhe duhet të artikulojë drejtësi edhe kur sillet, edhe kur bën gjeste. Presioni mediatik nuk është i lehtë, mua më intereson ajo që shkruhet në media, por mundohem të mos bie pre si për mirë si për keq. Mundohem të mos e lidh vendimmarrjen me artikujt që shkruhen nëpër gazeta”, tha Metani.



