
Analisti Neritan Sejamini i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN u shpreh se drejtësia shqiptare është duke vepruar me dy standarde. Sejamini theksoi se Komisioni i Mandateve nuk ka vepruar njëlloj me rastin e ish-deputetit Sajmir Tahiri, kur iu kërkua heqja e mandatit të tij, pasi iu kërkuan prova. Ndërsa tashmë që kërkohet heqja e mandatit të Sali Berishës, Komisioni thotë se ne vetëm miratojmë kërkesat dhe nuk kërkojmë prova.
“Kur ka qenë rasti i zotit Sajmir, zonja Vasilika Hysi i ka kërkuar prova Prokurorisë dhe ka shkuar deri në pikën që i thoshte që po shkelni të drejtat e Tahirit. Komisioni ka dy standard, atëherë I kanë mbajtur me orë të tëra me pyetje, ndërkohë sot I njëjti grup parlamentar ka deklaruar që po na erdhi kërkesa e miratojmë.
Nëse flasim për shtetin e së drejtës, standardi I drejtësisë është një nga kryesoret. Ne kemi raste kur kemi parë që veprohet me dy standard. Me rastin e Tahirit janë kërkuar prova dhe informacion, ndërkohë në rastin e Berishës thuhet që ne vetëm veprojmë sipas vendimit.”



