
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta në drejtim të kreut të SPAK Arben Kraja.
Përmes një postimi në “Twitter” Yuri Kim thekson se kërcënimet për prokurorët dhe gjyqtarët nuk janë normale dhe se askush nuk është mbi ligjin.
Në deklaratën e ambasadores amerikane thuhet:
Kërcënimet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar se pandëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush nuk është mbi ligjin, ASKUSH”.
Kujtojmë që Meta reagoi pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka nisur hetimet ndaj tij pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Meta tha se SPAK ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik, duke e cilësuar edhe një herë reformën në drejtësi si Ramaforma.



