Pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC, GJKKO ka firmosur 43 urdhër arreste për personazhe të njohur të botës së krimit, disa armiq të Ervis Martinaj.
Nga vëllezërit Leonard e Erlis Duka (armiq të Ervis Martinaj), Astrit dhe Altin Avdylaj, Valter dhe Burim Bami, te Endrit Dokle, Plarent Dervishaj, Fatmir Hyseni i njohur si Doçja, Mir Brruli kushëriri i Pëllumb Gjokës, janë disa prej emrat e personazheve të botës së krimit për të cilët është lëshuar urdhër arrest. Deri më tani mësohet se vetëm 9 masa sigurie janë zbatuar.
Lidhur me këtë operacion ka reaguar ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili ka përgëzuar SPAK dhe prokurorët e hetimit, ndërsa shprehet se operacione të tilla duhet të vijojnë të konsolidohen për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ai tha se kjo është një përgjigje për ata që thonë po kokat po kokat pse nuk goditen.
Përgëzoj SPAK dhe prokurorët që kanë drejtuar hetimin. Falenderoj policinë e shtetit, është një operacion që ndërlidhet, me personazhe të krimit në Shqipëri që janë aktiv jo vetëm në Shqipëri por edhe në disa vende evropiane përfshirë edhe Spanjën. Operacione të tilla duhet të vijojnë të konsolidohen për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kjo është një përgjigje për ata që thonë po kokat, po kokat pse nuk goditen.
Dhjetëra forca të RENEA, FNSH, nisën kontrollet prej orës 03:00 të mëngjesit të 17 majit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin. Kontrolle u ushtruan në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe, i zhdukur që prej gushtit 2022. Po ashtu në ‘sitë’ ishin edhe banesat e klanit Duka në Fresk të Tiranës, të cilët të cilët dyshohen si autorë të vrasjes së ish-efektivit të policisë Santiago Malko, mik i Martinaj.



