Vërshimi i eurove në ekonominë shqiptare: 12 miliard euro u këmbyen vetëm gjatë vitit 2023!

Vërshimi i eurove në ekonominë shqiptare: 12 miliard euro u këmbyen vetëm gjatë vitit 2023!

Çfarë ka ndodhur që ekonomia shqiptare po dominohet nga valutat?

Flukse të mëdha të monedhave të huaja kanë pushtuar tregun, duke vendosur lekun në një pozicion shumë të fortë!

Në fillim të janarit 1 euro këmbehej me 117 lekë, ndërsa në korrik, monedha e përbashkët europiane kapi nivelin më të ulët historik duke shkuar në kuotën e 100.5 lekëve.

Pas një rikuperimi me disa pikë, sërish në muajin dhjetor monedha europiane nisi zhvlerësimin për të arritur nivelin 101.2 lekë më 1 dhjetor 2023.

Sot ekuilibri i ri i euros në treg është 103 lekë, një zhvlerësim me 13% krahasuar me një vit më parë, ndërsa e vendosur në kontekstin e një dekade më parë, euro vlen 27% më pak se përpara 10 vjetësh!

Edhe valutat e tjera janë zhvlerësuar përballë monedhës kombëtare.

Dollari amerikan ka rënë me 15 pikë që nga janari i vitit 2023. Nga 108 lekë që ishte vlera e monedhës amerikane, sot niveli i tij ka arritur në 96 lekë, ndërsa kapi minimumin në korrik të vitit të shkuar duke u këmbyer me 89.5 lekë.  

Paundi është zhvlerësuar me 10% në harkun kohor të një viti. Monedha britanike kushtonte 132.5 lekë në janar 2023, ndërsa sot vlen 122 lekë. Kuotën më të ulët stërlina e kapi në korrik duke kapur nivelin 115 lekëve dhe gjatë muajit dhjetor ku kushtoi 117.5 lekë.

Mbiçmimi ndër vite i monedhës kombëtare natyrshëm shtron pyetjen se çfarë ndodhi në ekonominë vendase që të vijë ky raport. Kursi i këmbimit ka patur luhatje më të vogla edhe në vitet kur rritja ekonomike dhe ajo e eksporteve ka qënë në nivele dyshifrore, ndërsa trendi ekonomik i viteve të fundit ka qënë konstant dhe normal. Për të kuptuar këtë fillimisht duhet të shohim flukset e konvertimeve dhe krahasimin e tyre me të ardhurat që hyjnë në ekonomi në formën e valutave.

“Bilanci tregtar nëse krahasohet me prurjet e turistëve kanë një efekt që konsumojnë njëra -tjetrën. 4 miliard euro është defiçiti tregtar dhe 4 miliard kanë ikur nga Shqipëria për importe,  dhe po 4 miliard vlerësohet të jenë prurjet e turistëve në Shqipëri.” thotë Eduart Gjokutaj, ekspert i qendrës Altax.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, rezulton se gjatë vitit 2023 janë konvertuar në tregun e brendshëm 11.98 miliard euro, 1 miliard më shumë se gjatë vitit 2022.

Të dhënat e siguruara nga Kronos tregojnë se flukset e këmbimit të monedhës euro kanë qënë historikisht në nivelin 5.5 miliard çdo vit, por pas vitit 2014 sasia e qarkulluar e monedhës europiane në treg nisi një trend rritës prej 10% në vitin 2015 dhe 2016, kohë kur nisi zhvlerësimin me shpejtësi nga 140 lekë në 137 lekë.

Kursi i këmbimit pësoi luhatje të mëdha edhe në vitin 2017 ku euro ra në nivelin e 133 lekëve dhe në 2018-n, periudhë që vlera e saj në tregun vendas arriti në nivelin 128 lekë.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se qarkullimi i euros në treg në këto dy vite ishte rritur me 20% më shumë se mesatarja historike e këmbimit valutës. Sasia e euros në treg në 2017-ën ishte 6.8 miliard dhe në 2018-n arriti në 7.5 miliard.

Sot nuk flitet më për këto vlera. Vlerat e konvertimeve thuajse janë dyfishuar.

Gjatë vitit 2022 u konvertuan 10.9 miliard euro dhe gjatë vitit 2023 11.98 miliard.

“Shkalla e luhatjes të kursit të këmbimit ka qënë shumë e fortë. Nëse një monedhë mund të forcohet ose dobësohet në varësi të ndryshimeve që ndodhin në strukturën e ekonomisë, në përgjithësi këto ndryshime janë shumë të ngadalta në mënyrë që efektet të mund të përthithen nga sektorët prodhues. Ndërsa në Shqipëri duket se kemi një rënie të lirë të kursit dhe nëse e shohim, duket që nga 2015 është një rënie e lirë.” thotë profesori i ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës Selami Xhepa.

Të dhënat zyrtare të bilancit të pagesave të publikuara nga banka qëndrore për 9 muajt e parë të vitit 2023 tregojnë se të hyrat nga kanalet zyrtare eksportet ishin 3.2 miliard euro, investimet e huaja direkte 1 miliard e 88 milion euro, turistët sollën 3 miliard e 215 milion euro, dërgesat e emigrantëve 677 milion dhe përmes borxhit publik të jashtëm hynë në ekonomi 640 milion euro. Në total valuta e hyrë në treg përmes kanaleve formale kap vlerën 5 miliard e 605 milion euro, ndërsa në të njëjtën periudhë në tregun e këmbimit valutor janë konvertuar 8 miliard e 720 milion euro. 3 miliard e 115 milion euro nuk justifikohen nga burimet formale të ekonomisë.

“Po të marrim rënien e euros nga viti 2016 deri më sot ka patur një rënie mesatare 3-4%, ndërsa rënia e sivjetshme është një rënie e pazakontë e cila nuk ka lidhje as me rritjen ekonomike dhe as me faktorët që sjellin euro si investimet e huaja. Kjo është një matematikë e thjeshtë.” thotë Florian Zekja nga shoqata ‘Proeksport’.

Ky ka qënë një debat i hershëm mes bizneseve të sektorit prodhuesit dhe autoritetit monetar ta bankës qëndrore.

“Ne patëm disa me Bankën e Shqipërisë që nga muaji prill i vitit të kaluar dhe nuk vazhduan më sepse banka qëndrore e pa të arsyeshme që të mos ndërhyjë më në kursin e këmbimit.” shton Florian Zekja.

Vijën e këtij debati tentoi për herë të parë ta ndajë Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili konstatoi në raportin e fundit për Shqipërinë pas konsultimeve të artikullit 4, se flukset hyrëse të monedhave të huaja nuk justifikohen nga faktorët fondamentalë. Thënë thjesht, ekonomia gri e parave të pista dhe të padeklaruara ka rrëzuar euron, dollarin dhe paundin dhe po kërcënon sektorët prodhues të saj!

“Mbiçmimi i shpejtë i lekut gjatë vitit të fundit nuk shpjegohet tërësisht nga faktorët ekonomikë fondamentalë, duke rritur rrezikun e një përmbysje të papritur të tij. Performanca e mirë e turizmit, ndërtimit dhe energjisë prezantojnë rreziqe të shtuara” citohet në deklaratën e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Ishte FMN që tha e para që skemat piramidale në Shqipëri janë rrezik serioz i ekonomisë shqiptare dhe kjo u bë pasi autoritet nuk e pranonin shkallën e rrezikut të këtij problemi. Kur situata agravohet dhe autoritetet nuk veprojnë, Fondi Monetar bën deklarime të kësaj natyre në mënyrë që shoqëria të ndërgjegjësohet për veprimin e këtij faktori.” thotë profesori i UET Selami Xhepa.

FMN le detyra për të marrë masa në uljen ekspozimit të eurizimit dhe luftën ndaj parave të pista.

“Më së shumti kemi tregun e pasurive të patundshme që i përthith më shumë, por kemi dhe sektorë të shërbimeve që kemi një ‘boom’ të rritjes së blerjes së aseteve që tregon që nuk reflektojnë rritjen e sektorit, por janë para që hyjnë në formë jo-formale. Kjo para thjesht depërton këtu dhe nuk ka qëllim zhvillimin, por formalizimin dhe pastrimin e saj. Kjo para mbahet në formë të ngurtësuar te asetet.” thotë eksperti Gjokutaj.

Përgjegjëse për situatën në kursin e këmbimit janë dhe politikat buxhetore të qeverisë, të cilat kanë mbajtur sasi të pashpenzuara leku në buxhet, i cili mund të frenonte një zhvlerësim në këto përmasa.

Politika për deurizimin e bankës qëndrore duket se është e padukshme. Në vend të masave të saj, tregun duket se po e furnizojnë sasi valutash të cilat kanë dalë jashtë kontrollit të ekonomisë.

Vitin e shkuar në tregun e këmbimit valutor u konvertuan 2.9 miliard dollarë dhe 436 milion paund, sasi këto të pajustifikuara nga tregtia që kemi me vendet që përdorin këto monedha dhe të dyfishuara në vitet e fundit.

Paundi është monedha që dominon qarkullimin në formën ‘cash’, 1 e katërtra e saj rezulton të ketë mbërritur dhe të jetë konvertuar në kanalet bankare, ndërsa shumica raportohet të jetë këmbyer në pikat e këmbimit valutor.

Flukset e konvertimit të valutave kanë kapur kulmin gjatë periudhës korrik – shtator me 3.4 miliard euro konvertime, ndërsa 3.26 miliard euro është fluksi i euros së konvertuar në periudhën e fundit të vitit. Në tremujorët e parë të vitit konvertimet ishin në vlerat 2.5 miliard dhe 2.8 miliard euro.

Por nëse në disa periudha vërshimi i valutave përkon me sezonin turistik, rritja e konvertimeve në fundin e vitit rrëzon teorinë që tregojnë autoritetet për 10 milion turistët që krijuan ‘Superlekun’!

Gjatë vitit që lamë pas në tregun e këmbimit valutor janë konvertuar 15.2 miliard euro, ndërsa vetë prodhimi kombëtar i vendit vlerësohet të jetë 22.2 miliard euro. Valutat kanë përmbysur raportet e brendshme të ekonomisë, duke u bërë dominuese të saj!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy