Parlamenti ka kaluar mbrëmjen e së mërkurës një ndryshim në ligjin për organizimin e funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Ligji i ri shmang betimin e anëtarëve të kësaj gjykate te presidenti i Republikës.
Lidhur me këtë, Presidenti Meta ka reaguar sot përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi.
Ky i fundit paralajmëron se Meta do të dalë para mediave pasditen e sotme për të shpjeguar atë që sipas tij synon maxhoranca nëpërmjet këtij ligji.
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi shpreh çudinë që ligji është miratuar në errësirë të plotë vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë.
Postimi i Blushit
Të nderuar kolegë gazetarë!
Kam marrë shumë pyetje nga ju, lidhur me ligjin që ka kaluar Kuvendi dje në mbrëmje vonë, nëse është apo jo në shkelje të Kushtetutës.
Së pari dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer.
Pra KAP ÇFARË TË KAPËSH.
Së dyti, për ne tashmë çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull.
Por sot paradite jemi të fokusuar te takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.
Ndërsa pasdite ju premtoj se Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në.



