Bullgaria është optimiste se pjesëmarrja e Kosovës në samitin e Sofjes nuk do të jetë pengesë për asnjë shtet.
Ministrja bullgare e presidencës së BE-së, Lilyana Pavlova ka bërë një deklaratë për këtë çështje gjatë Konferencës për Ditën e Zgjerimit të organizuar nga Komiteti Evropian i Rajoneve, ku është diskutuar edhe për Samitin që do të mbahet në Sofje më 17 maj.
Shumë shtete kanë vënë në dilemë pjesëmarrjen në samit, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, që pritet të prezantohet si shtet i pavarur.
Kështu, Spanja, nuk ka pranuar për asnjë arsye, që të ulet në tavolinë me përfaqësuesit e Kosovës.
Por, fatmirësisht, Bullgaria ndan një tjetër mendim. Sipas “SofiaGlobe”, Ministrja bullgare e presidencës së BE-së, Lilyana Pavlova citohet të ketë thënë: “Besoj se në fund do të fitojë uniteti, pavarësisht dallimeve, si për njohjen e Kosovës. Kemi shumë qëllime, dhe shpresoj fuqishëm se do të arrijmë një kompromis, në mënyrë që të gjithë të marrin pjesë”.
Në Samitin e Sofjes që do të mbahet më 17 maj do të nënshkruhet edhe një deklaratë për vendet e Ballkanit Perëndimor, deklaratë, të cilën nuk dihet nëse do ta nënshkruajnë edhe vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.



