
Tragjedia e ndodhur pak ditë më parë në Xhenova të Italisë është bërë shkak që Policia Rrugore të nis inspektimin në disa prej urave që janë pjesë e segmenteve rrugore të vendit. Në një njoftim për shtyp mesditën e sotme, drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola, tha se nisur inspektimi i sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura, po ashtu edhe gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë.
Inspektimet do të kryhen nga Policia Rrugore dhe Autoriteti i Rrugëve. Ekipet në terren do të bëjnë inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal për peshën e lejuar të mjeteve mbi ura si dhe do të verifikojnë gjendjen fizike të tyre.
“Javën në mbyllje dhe javët në vijim, shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me “Autoritetin Rrugor Shqiptar”, nisur nga ngjarja tragjike – rrëzimi i Urës në Genova të Italisë, ku humbën jetën 39 persona, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë. Në bashkëpunim me aktorë të tjerë të ngarkuar me ligj për menaxhimin e elementëve të sigurisë rrugore në këto infrastruktura, Shërbimi i Policisë Rrugore do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e peshave të ngarkesave të mjeteve, për të shmangur dëmtimet dhe respektimin e ligjit duke “prodhuar” me shumë siguri rrugore”, tha Tola.



