
Shqipëria po ecën me hapin e vendeve të rajonit, për të tërhequr investime ndërkombëtare. Ulja e tatimit mbi fitimin nga 15% në 5%, për kompanitë me një xhiro deri në 14 milionë lekë; për sipërmarrjet në fushën e turizmit dhe ato në fushën e bujqësisë si dhe reduktimi i dividentëve nga 15% në 8%, për mbi 15 000 kompani ose rreth 50 000 investitorë janë disa nga masat që i shërbejnë kësaj strategjie.
Italia sheh në vendin tonë mundësi në rritje për investime. Roberto Laera, i cili ka themeluar në Tiranë një kompani shërbimesh konsulence, Italian Network, thotë se Shqipëria është ndër të parat “sportele” të kompanive italiane në vendin tonë.
“Italia është prej kohësh vendi i parë për prezencën e sipërmarrjeve në Shqipëri dhe ky interes vijon të mbetet i madh. Edhe Shqipëria po përshtatet me garën në rritje mes vendeve ballkanike për të tërhequr capital ndërkombëtar, në rritje edhe nga Kina”, thotë Laera për Il Sussidiario.
Në një seminar të organizuar nga ambasada shqiptare në Romë, Laera bëri një përmbledhje të shifrave që favorizojnë vendin tonë si vend investimi. “Shqipëria është një vend ku 57% e tre milionë banorëve janë nën 35 vjeç dhe 30% më pak se 19 vjeç. Paga minimale është 210 € dhe koha e regjistrimit për një aktivitet të ri ekonomik është 24 orë. Numri i shqiptarëve me diplomë ose me specializim është mbi një milion”.
"Turizmi dhe agro-industria janë fushat prioritare të biznesit në strategjinë e vendit. Të dy këta sektorë vënë në lëvizje zhvillimin e pasurive të paluajtshme dhe nxisin rritjen infrastrukturore të vendit", është shprehur Laera.



