Mijëra të moshuar duhet të rrinë brenda për shkak të koronavirusit. Posta është angazhuar të bëjë dërgesat në shtëpi. Gazetari Armend Pire ka ndjekur procedurën nga afër.
Pensionistët fillimisht duhet të telefonojnë pranë numrave të vënë në dispozicion nga Posta Shqiptare dhe jo të dynden drejt tyre. Më pas, punonjësit e çdo njësie postare bëjnë të mundur marrjen e të dhënave bazë nga pensionistët.
“Nuk ka asnjë arsye që ketë mbingarkesa as emocionale, as grumbullime publike, sepse është shumë e rëndësishme që të moshuarit, që janë më të rrezikuar nga kjo sëmundje, të rrinë në shtëpi”, thotë punonjësja e postës.
Romeo ka bërë disa dërgesa në orët e para të mëngjesit. Ai rikthehet sërish në postë për të vijuar shpërndarjen e pensioneve.
Me mbërritjen në destinacion edhe postieri has vështirësi të ndryshme.
“Adresat janë e para, pastaj pensionistët që nuk përgjigjen në telefon. Detyrohemi që i marrim prapë dhe pastaj shkojmë prapë në adresë. Ky është problemi ynë më i madh, adresat dhe pensionistët që nuk përgjigjen”, thotë postieri.
Ndryshe nga pensionistët e tjerë, Xhevahiri është treguar korrekt me dhënien e informacionit dhe orienton akoma më tepër postierin nga dritarja e pallatit.
Pasi marrin pensionin, dy të moshuarit i hapin derën edhe grupit të xhirimit. Prej 14 ditësh, ata thonë se nuk kanë dalë nga shtëpia, pasi edhe me furnizimet kujdeset vajza e tyre.
“Më bukur nuk ka, qeveria dhe stafet mjekësore japin këshilla shumë të mira. Në radhë të parë duhet të mbrojmë veten tonë”, thotë Xhevahiri.
Xhevairi dhe Argjentina kanë një apel mjaft të fortë për moshatarët e tyre në këto ditë të vështira.
Drejtori i Marketingut në Postën Shqiptare, Ervis Mançe, tregon se përshtatja me dërgimin e pensioneve në shtëpi ka kaluar në një sërë vështirësish.
“Problematikat që hasim në territor janë të ndryshme: e para, pesnionisti që nuk e di si merret pensioni në shtëpi, pesnionistë që banojnë në zona të tjera nga ku marrin pensionin, psh. Banon në Durrës dhe e merr pensionin në Elbasan”
Mançe thotë se edhe për pensionistët të cilët nuk mund të përdorin një telefon apo rrjetet sociale ka zgjidhje në dërgimin e të dhënave.
"Në rastet e izoluara, ju bëj thirrje këtyre pensionistëve të komunikojnë me administratorin e pallatit, kryeplakun, ndëlidhësin e komunitetit ose përfaqësues të njësisë administrative, të cilët janë të orientuar për këtë rast"
Në Shqipëri janë afro 500 mjë të moshuar, të cilët marrin pensione mujore. Edhe për muajin prill, ata duhet të qëndrojnë në shtëpi pasi pensioni do t'u dërgohet sërish me anë të Postës Shqiptare.



