
Prej më shumë se një orë, ka nisur procesi i votimit në vend. Ndërkohë, ashtu sikurse ka paralajmëruar, opozita ka nisur protestat në disa qendra votimit.
Disa mbështetës të opozitës me parulla në duar dhe vuvuzela kanë marshuar përgjatë Rrugës së Elbasanit dhe qëndruan për disa minuta përballë Qendrës së Votimit te Liceu Artistik. Mbështetësit e opozitës kanë gjetur formën më të pazakontë për të protestuar. Ata kanë vendosur të marshojnë, ndërsa në sfond kanë muzikë popullore, kushtuar diktatorit Enver Hoxha.
Kjo është një gjetje ironike, për të kujtuar kështu zgjedhjet në diktaturë të cilat i paralelizojnë me të sotmet.
Pjesëmarrësit në këtë protestë lëshuan thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kërkuan largimin tij. Manifestimi përpara qendrës së votimit ka qenë paqësor dhe nuk u shënua asnjë incident.



