
Tashmë është e sigurt që brenda dy viteve, në vitin 2025, do të ketë një mision të ri hapësinor që do të niset për në Hënë. Dy astronautë, një grua dhe një burrë, do të formojnë ekuipazhin që do të shkelë në satelitin e Tokës 56 vjet pas zbritjes së parë të Aldrin në vitin 1969.
Kur të kryhet misioni skajet e kratereve dhe maleve do të krijojnë hije shumë të gjata që do të fshehin shumë nga terreni. Në zonat me dritë do të jetë mbi 50 gradë, ndërsa në zonat më të errëta temperatura do të bjerë mbi 200 gradë nën zero.
Prandaj është një territor armiqësor dhe në të njëjtën kohë krejtësisht i panjohur, i cili kërkonte një kostum astronauti plotësisht të rinovuar në krahasim me misionet e njohura deri më tani.
Me këtë rast, NASA, Agjencia Hapësinore e SHBA-së, prezantoi kostumin e ri që do të veshin astronautët pas dy vitesh si pjesë e misionit Artemis 3, vlera e të cilit është e barabartë me 228 milionë dollarë, për të dy.
“Ky është kostumi që do të na çojë në Hënë”, tha Bob Cabana, nënkryetar i NASA-s në ditën e prezantimit.
Hera e fundit që NASA zhvilloi paketimin e kostumeve të ngjashme ishte 40 vjet më parë, për programin Space Shuttle.
Modeli i ri i sapo prezantuar është i zi me elementë portokalli, por dy astronautët që do të shkojnë në Hënë pas dy vitesh do të jenë si brenda “anijeve të vërteta individuale kozmike”.
Ata do të jenë me të gjitha komoditetet e anijes kozmike me të cilën udhëtuan për të mbërritur atje, e njëjta siguri, si në raport me temperaturat e jashtme në hapësirë ashtu edhe me rrezatimin. Fenerët e fuqishëm do t’i lejojnë astronautët që të shohin rreth tyre ndërsa përshkojnë terrenin.
Me pak fjalë, kjo seri e re kostumesh do të lejojë lëvizje shumë më natyrale se paraardhësit e tyre, shpjegon NASA, dhe për këtë arsye astronautët nuk do të lëvizin me kërcime komike siç bënin gjysmë shekulli më parë.
Kostumi përmban edhe një pelenë, e cila është aty në rast se eksploruesit nuk mund të ndihmojnë veten gjatë ekskursioneve hënore gjashtë orëshe ndërsa përkrenarja është e pajisur me kamera video, në mënyrë që e gjithë bota të mund të shikojë për herë të parë një eksplorim hënor në definicion të lartë.
Sipas asaj që dihet, i njëjti kostum hapësinor do të përdoret edhe në të ardhmen në misionin që do të shërbejë për eksplorimin e Planetit të Kuq, Marsit.



