Inceneratori i Elbasanit vijon të jetë jashtë funksionit prej vitit 2023, ndërsa pagesat për shërbimet vijojnë të kryhen nga buxheti i Bashkisë së Elbasanit. Çështja është rikthyer në vëmendje pas arrestimit të administratorit të “Eco-Elb”, Leli Kaja, i cili akuzohet për korrupsion dhe marrje ryshfeti lidhur me tenderat.
Anëtarja e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, Bianka Çopja, në MCN Live, deklaroi se problematika e inceneratorit është denoncuar prej më shumë se tre vitesh dhe se hetimet duhet të shkojnë më thellë për të zbardhur destinacionin e parave të paguara për një shërbim që, sipas saj, nuk kryhet.
Sipas saj, arrestimi i administratorit të “Eco-Elb” duhet të ishte kryer më herët, pasi, siç pretendon ajo, informacionet për problematikën i janë përcjellë institucioneve ligjzbatuese prej rreth tre vitesh.
Kam më shumë se tre vite që merrem me çështjen e inceneratorit, më pas me kallëzime në prokurori dhe SPAK dhe realisht duhet të themi që incenerator është term i gabuar, sepse është thjesht një grumbullim mbetjesh, pasi incenerimi nuk kryhet në Elbasan. Për sa kohë që u krijua për të ndodhur incenerimi dhe ky shërbim nuk kryhet, kemi të bëjmë me një skemë të pastër vjedhjeje. Ndërkohë, inceneratori nuk funksionon, por ku shkojnë këto pagesa? Atëherë na mbetet të themi korrupsion dhe vetëm korrupsion për çdo tender dhe para që kalon për Eco-Elb. Arrestimi i Leli Kajës duhet të kishte ndodhur më parë dhe informacionet janë dërguar të sakta që tre vite më parë, por megjithatë jemi në rrugën e duhur, që do të nxjerrë në dritë fakte të reja, me shumë abuzime të tjera dhe me persona të tjerë të përfshirë.
Çopja ngre pikëpyetje edhe mbi përdorimin e rreth 4 milionë eurove nga buxheti i Bashkisë së Elbasanit, duke argumentuar se pagesat janë kryer për një shërbim që nuk ofrohet.
Ne flasim për një dëm të Bashkisë së Elbasanit me një vlerë 4 milionë euro nga buxheti i bashkisë për një shërbim të pakryer. Pra, e kemi të qartë se çfarë po ndodh, s’ka nevojë të zvarritet më gjatë. Për çfarë janë përdorur 4 milionë eurot, se djegia nuk ndodh? Për çfarë kalojnë këto para vetëm për grumbullimin e mbetjeve, e cila është kthyer në një minë me sahat? Çështja në Prokurorinë e Elbasanit vazhdon të jetë e hapur lidhur me inceneratorin dhe kjo skemë korrupsioni do të marrë përgjegjësit e duhur për t’i vendosur para ligjit dhe të besojmë të gjithë se korrupsioni do të luftohet me forcë në Shqipëri. Besoj se arrestimi i djeshëm është një dritë jeshile për të vijuar me thellimin më tepër për të tilla skema, se kjo është një histori e nisur më herët. Bashkia e Elbasanit, duke qenë se është edhe klient dhe pronar, duhet të përgjigjet se ku po shkojnë këto para edhe pse lekët është e thjeshtë për ta kuptuar se në xhepat e kujt shkojnë.



