Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se pavarësisht rritjes së ekonomike, shqiptarët nuk kanë përfituar asgjë. Sipas tij, dyfishimi i ekonomisë që deklaron kryeministri do të duhej të ishte përkthyer në rritje të pensioneve.

Është një fushatë që i paraprin fushatës elektorale. Problemi është ku ka shkuar rritja ekonomike që thotë Rama. Duhej të shkonte te pensionet. Pensionet janë hallka më delikate. Por nga 2013-2024 janë rritur vetëm 20%. Tani kujtohet në ditët e fundit të mandatit të tretë.

Projektet e dështuara të koncesioneve kanë ngrënë para sa që do të lejohej rritje edhe 25% e pensioneve. Ky thotë bëra sa munda. Jo, bëre sa ta ndjeu. Sepse paratë i çove atje ku fitoje për vete.

Soko shpjegoi mënyrën e përllogaritjes së rritjes së pensioneve.

Tashmë shoqëria ka arritur atë pikë maturie sa të zgjohet. E vetmja gjë që pritet nga Rama janë makijazhet. Po u bëhen dy hile pensionistëve: indeksimi dhe mënyra si llogaritet. Pra bëhet mbi masën e inflacionit. Ajo që ndodh është se pensionistët i çojnë paratë në ujë, drita, ilaçe dhe ushqime. Këto rriten shumë më tepër se mesatarja e shportës.

Ai tha se përpjekja për të rifituar votën e pensionistëve është arsyeja e vërtetë e premtimit për rritje pensionesh.

Rama ka një bindje të verbër që këta më votojnë mua. Unë shpresoj shumë që kjo shtresë kaq e fuqishme të ndërgjegjësohet. Nuk është mbështetje partizançe, është interes. Politika të fut dorën në xhep, të lë pa lekë. Nëse lëvizja bëhet për efekt elektoral është mashtrim. Është më shumë shpresë për lëmoshë, as lëmoshë jo.

Zoti Rama si kalkulator politik e ka parë se ka rrjedhje te psnionistët dhe po përpiqet të përfitojë tani. Pensionistët duhej të ndiheshin si shtresa më e diskriminuar nga të gjitha shtresat.

Soko theksoi se nga rritja e ekonomisë kanë përfituar vetëm një grusht njerëzish, ndërkohë që skema e pansioneve rrezikon kolapsin.

As gjysma e rritjes ekonomike nuk është marrë mbrapsht nga shqiptarët. Nga dyfishimi i ekonomisë që thotë Rama kanë përfituar më e shumta 150 vetë. Rama rri gjithë ditën majë avionit.

Sot kemi një skemë të shkalafitur pensionesh. Sepse kanë ikur njerëzit. Sot Shqipëria ka raportin më të keq mes kontribuuesve dhe përfituesve. Kishim një pensionist për tre të punësuar, tani kemi tre pensionistë për një të punësuar.