Imami Vladimir Mema në studion e MCN Live ka komentuar lidhur me një projektligj për abortet dhe nënat surrogate për të cilat u shpreh se është kundër pasi kjo dëmton njeriun që në gjenezë.
Ai tha se nëna dhe fëmija nuk mund të merren me qira pasi familja është bërthama kryesore që mund të prodhojë njerëz. Sipas tij ky ligj mund dhe të keqpërdoret deri dhe te trafikimi i frikshëm i fëmijëve.
Njeriu është njeri sepse kur e bën një veprim para vetes ka dy boshte, ka një arsye dhe një etikë pse e bën atë veprim dhe kjo e bën njeriun, njeri. Kur humbet arsyetimi, logjika, atëherë njeriu mund të kaloj në ekstreme më të mundshme.
Nëna surrogate është të marrësh nënën me qira, por nëna nuk merret me qira sepse është një tërësi ndjenjash. Nuk mund të merret as nëna dhe as fëmija me qira sepse shkëpusin një sërë lidhjesh të forta që është nëna me fëmijën që lidhen sëbashku që në bark.
Nëna që e lindi dhe e humbi mos mendoni se nuk goditet nga kjo, pastaj ndodh dhe që motra dhe vëllezër nesër duke mos u njohur me njeri- tjetrin martohen me njeri tjetrin sepse janë fëmijë të marrë me qira.
Më tej ai shtoi se në këtë formë mund të keqpërdoret situata dhe mund të shkohet deri në një trafikim të frikshme të fëmijëve, pasi duket sikur është gjithmonë ky treg.
Ka një arsyetim kjo gjë, ka mjekë që flasin, prindër që flasin, këta janë grupe interesit, a ka një etikë kjo, tregon një nivel zhvillimi të njeriut? Të gjithë termat e reja që dalin na shembin një traditë të vyer që ne kemi si shqiptarë që është familja.
Familja mbetet bërthama kryesore që prodhon njerëz në të gjithë dimensionet e veta. E treta gjë e rëndësishme është se ne tani po e shohim njeriun si një mall tregu, si një fabrikë prodhimi, por nuk mund të funksionojë kështu jeta njerëzore.
Liria nuk mund të shmanget nga përgjegjësia e veprimit, dhe në emër të lirisë s’mund të heqim përgjegjësinë tonë si njeri dhe ta zhbëjmë, s’mund të shkojmë tek ky term dhe dëmtojmë njeriun në gjenezë. Dy shkallët më të larta të njeriut janë kur bëhen nënë e babë.



