
Jetojnë në fund të oqeanit Paqësor në një zonë të bregdetit të Meksikës, në mungesë të plotë të oksigjenit. Janë mikroorganizmat e para që jetojnë në saje të arsenikut dhe studimi i tyre i mëtejshëm mund të ndihmojë për kërkimet mbi jetën aliene, sipas revistës së Akademisë së Shkencave të ShBA-së.
Nëse për njeriun arseniku është një helm, për këto baktere është burim ushqimi e energjie të domosdoshme për mbijetesë.
Edhe në të shkuarën janë zbuluar forma jete detare që jetojnë me azot e squfur në mungesë të oksigjenit dhe baktere që jetojnë në saje të arsenikut, por është hera e parë që zbulohen baktere që marrin frymë nëpërmjet arsenikut.
Sipas studiuesve kjo është një strategji e lashtë mbijetese atëherë kur oksigjeni nuk ishte aq I mjaftueshëm në planet, por është e çuditshme që përdoret ende.



