Naftëtarët e Ballshit në protestë prej disa javësh kanë marrë premtimin nga kompania “Bylys Energy” se në llogaritë e tyre do kalojnë pagat e prapambetura deri në muajin dhjetor. Ky nuk është i vetmi problem. Njëri prej naftëtarëve, Behar Osmanaj, thotë për TvT se Ministria e Energjisë nuk e ka detyruar kompaninë të mbyllë datat e sigurimeve shoqërore duke u mohuar kështu naftëtarëve pagesën e papunësisë në rast se kompania shpall falimentin.
“Nuk e kanë bërë mbylljen dhe t'i thonë atij që mbyll librezat e dokumentet e punëtorëve. Është detyrë e qeverisë: "Ti nuk do i paguash më? E mbylle aktivitetin? Mbush librezat e bëj gati që këta të marrin pagesën e papunësisë te Ministria e punës". Këtë ia kemi thënë prefektit që në dhjetor këtë muhabet që të bëheshin procedurat, sepse ne në 1 janar ishim pa punë. Unë quhem person aktiv te Sigurimet Shoqërore për janarin, ashtu edhe për shkurtin, sepse nuk ka datë mbyllje.”
Tv T kërkoi një prononcim zyrtar nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës mbi hapat e ndërmarrë për të mbështetur naftëtarët. Në reagimin zyrtar ministria pranon se ky institucion ka luajtur vetëm rolin e ndërmjetësit.
“Përfaqësues të MIE kanë takuar përfaqësuesit e punonjësve për të ndërmjetësuar me palën operuese të Rafinerisë për pagesat e munguara. MIE nuk ka asnjë aksion pronësie në Rafineri dhe gjithë angazhimi ndërmjetësues i saj i deritanishëm ka qenë në kuadër të përgjegjësisë sociale për të ndihmuar punonjësit e rafinerisë.”
Zyrtarisht nga shteti pranohet se Armo ka falimentuar.
“Rafineria e Ballshit është në pronësi të kompanisë “Allum Energy” dhe është marrë me qira nga kompanitë Tosk dhe Bylis. MIE nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë në veprimtarinë e saj. Ministria dhe shteti shqiptar nuk kanë asnjë aksion në rafineri. Pronar 100% është Allum Energy, kompani me pronësi azere. Përpjekjet kanë qenë dhe janë gjithnjë të krijojnë hapësirë biznesi pa asnjë pengesë për investitorë, që mund të punojnë në kushtet në të cilat është uzina. Nuk ka shumë interes të shprehur për të. Ashtu sikurse publiku është tashmë i informuar, problemet e vjetra lidhen me privatizimin e saj të dështuar dhe falimentimin e Armos.”
Naftëtarët do të jenë sërish të hënën në protestë në Ballsh duke mos ndalur asnjë ditë revoltimin e tyre deri në zgjidhjen e plotë të problemit të pagave. Ata shprehin përkrahje edhe për punëtorët e Nënstacionit Elektrik të Poçemit të cilët kanë hyrë në grevë urie.



