
Rëndom pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, bazuar edhe nga zgjedhjet e kaluara, dalin në pah koalicionet paszgjedhore të cilat do të varen nga votat e 6 tetorit. Sipas njohësve të politikës në vend, në rast se asnjëri koalicion nuk arrin të marrë votat e nevojshme, atëherë mund të kenë nevojë nga partitë e vogla, të cilat në këtë rast, synojnë vetëm që Lista Serbe mos të jetë faktor kyç në qeverisje.
Sipas analistëve, rrjedha e koalicioneve pasgjedhore do të varet nga ulëset që i fiton partia e parë.
Duke qenë se për këtë zgjedhje janë katër lista të mëdha që garojnë si parti ose si koalicione, katër janë pothuajse të barabarta në garë me një dallim shumë të vogël për momentin, atëherë me gjasë dy prej këtyre partive mund ta krijojnë një shumicë të nevojshme, që së bashku me minoritetet ta krijojnë një qeveri pa pas nevojë për partitë më të vogla “Nisma” dhe AKR”, shprehen “matematikisht” për koalicionet e mundshme, analistët politikë në Kosovë.
Për disa analistë, koalicionet paszgjedhore nuk bëhen në baza të parimeve, meqë në këtë sistem politik, parandalohet "diktatura", ku asnjëra parti në vend nuk mund të jetë shumë e fortë.
“Sistemi ynë politik më shumë iu jep përparësi partive të vogla sesa atyre të mëdha. Në sistemin tonë politik më shumë ke llogari të jesh parti e vogël se një parti e madhe, dhe me këtë , ky sistem i ka anët pozitive dhe ato negative meqë ky sistem politik e parandalon diktaturën sepse asnjë parti nuk mund të jetë shumë e fortë”, shprehen ata.
Në zgjedhjet e 6 tetorit kandidojnë 20 partie dhe 4 koalicione me 1070 kandidatë për deputetë dhe një kandidat i pavarur.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 6 milionë euro.



