Emisioni “Rrëfimi juaj” ka sjellë sot rrëfimin e një vajze nga qyteti i Elbasanit, të cilës jeta i solli shumë disfata, por ajo nuk tërhoq kurrë duke parë gjithmonë përpara. Bëhet fjalë për Eligerta Sadijan, e cila ishte dy muajshe kur papritmas do të mbulohej nga ethet e një temperature që do nënvlerësohej nga mjekët e atëhershëm. Mbase viti 1997 ishte një vit i vështirë për të gjithë shqiptarët, ku problemi kryesor mbetej mjekësia dhe problemet e saj.
Një mjekim që jo vetëm do ta qetësonte vogëlushen, por do ta paralizonte atë duke e detyruar të qëndronte gjithë jetën në një karrige me rrota. Ndonëse një fëmijë tepër energjik, Eligerta vazhdimisht ndihej keq pasi shikonte mëshire te sytë e njerëzve. Edhe pse u përball me një fat të tillë, sërish ajo tregoi se mund të ishte e dobishme në familje dhe shoqëri. Dita e parë në universitet asnjëherë s’do harrohet, pasi u ndesh me fjalë diskriminuese nga studentet, të cilat e shihnin me habi se si ajo ndiqte çdo orë mësimi.
Vështirësia e saj ishte te menaxhimi i orëve të mësimit, ku pedagogët u detyruan që orët mësimore t’i kryenin në katet e para të fakultetit.
Ajo tregon se:
E ndrojtur s’kam qenë asnjëherë, kam qenë një njeri që atë që mendoj e them. Gjithmonë kam kërkuar të drejtat e mia, sikurse kur kam shkuar për herë të parë në fakultet, kamë kërkuar rampën. Kam bërë një kërkesë me shkrim një muaj para për të qenë sa më e aksesueshme lëvizja ime aty brenda. I kam vendosur një qëllim vetes time në momentin që kam shkelur në atë oborr. I kam thënë që këtu duhet të tregosh më të mirën tënde, duhet të impenjohesh shumë, sepse ke ardhur deri këtu me forcat e tua, dhe t’i duhet t’ia dalësh”.
Pedagogu Arben Gjata jep këtë vlerësim mbi ish-studenten e tij:
Kam pasur gjithmonë idenë që sa vullnet ka ky njeri që po vjen dhe realisht kërkon të jetë prezent në mënyrë të vazhdueshme dhe gjithmonë sa i përket mësimit”.
Ajo ia doli të përfundonte Bachelor-in më nota tepër të larta, duke u kthyer në një shembull për studentët. Ëndrra e saj është të mbarojë Juridikun. Ndonëse me nota të larta sërish ajo do të ndeshej me dyer të mbyllura, duke mos i dhënë mundësi të shpaloste vlerat, vetëm nga fakti që është e ulur në karrige me rrota.
Ndër të tjera Eligerta jep këtë mesazh:
Jemi të barabartë dhe unë me këtë kam ecur gjithmonë. Asnjëherë s’jam zhytur në mendime, që shiko unë jam kështu dhe duhet të rri në vend. Mendoj se çdo gjë arrihet me përkushtimin e duhur dhe me njerëz të mirë pranë”.
Ajo dëshiron të japë kontribut në shoqëri, pasi ka investuar në shkollë, duke duruar edhe fjalë diskriminuese, apo pyetje që e godisnin në shpirt, të tilla si: “Përse je kështu?”.
Ka shumë njerëz që më ndalojnë në rrugë dhe më pyesin pa të drejtë ‘përse je kështu?’ Është një pyetje të cilës unë nuk mund t’i përgjigjem. Është diçka që më përket mua, s’e kam zgjedhur unë. Kështu ka qenë jeta për mua dhe ka njerëz që vërtet s’dinë si të drejtojnë një pyetje dhe sa vret ajo pyetje. Por jeta vazhdon. Jam munduar të sjell buzëqeshje në familjen time, në jetën time”.
Ajo tregoi zhgënjimin, kur ëndrra e saj se një ditë mund të ecte nuk u plotësua, por sërish vendosi të shikojë përpara.
Kur isha shumë e vogël më thoshte babi do shkojmë në Kishën e Laçit edhe atje ndodh mrekullia, edhe unë mendoja se mrekullia ishte që unë do ecja. Shkuam atje, ishin disa rituale që ata i ndiqnin, duhet të drekoje, darkoje, flije aty. Kalon një natë dhe në mëngjes zgjohem e zhgënjyer se nuk po ecja edhe i them babait, o babi pse më solle këtu kur më premtove...Ai nuk më premtoi gjë, por shpresa ime ishte që të zgjohesha krejt normale. Ishte një zhgënjim që më goditi, por aty vendosa shiko se është diçka që s’ndryshon, as na Zoti, as na mrekullitë dhe duhet të jetosh jetën kështu siç e ke. Ëndrra ime ka qenë të jem një njeri që do t’i shërbente shoqërisë. Mendova që ky njeri jetën e ka të vështirë, por të jetë shembulli i shoqërisë së tij. Nuk them që jam njeriu perfekt, por jam një njeri që ato njerëz që më duan, më duan për atë ka jam”.
Eligerta ia doli të jetonte e vetme në Elbasan, duke bërë një jetë normale, falë karakterit të saj të fortë dhe vetëbesimit. Tanimë kërkesa e saj është gjetja e një pune për të mbuluar shpenzimet. Jo vetëm Eligerta, por janë të shumtë ata tetrapelgjik, të cilët janë lënë në heshtje nga shteti. Problem mbetet vonesa e marrjes së kempit, e cila vonon mbi dy muaj. Sot ata janë lënë në heshtje nga shteti, i cili i përdor vetëm për fushata elektorale.



