
Kandidatja për kryebashkiake të Tiranës, Lajla Përnaska e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nga KZAZ 30 në zonën e “Ali Demit” deklaroi se problemi me pajisjet elektronike të identifikimit, ndikoi në kthimin mbas të qytetarëve që kishin shkuar për të votuar.
Duke folur për MCN Live, ajo deklaroi se askush nuk mund ta masë nëse gjithë ai kontingjent që u tërhoq për arsye teknike, patën mundësinë që të riktheheshin te kutia e votimit.
Sipas saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mbajë përgjegjësinë dhe t’i japë zgjidhje kësaj lloj problematike.
Procesi i numërimit është deri diku normal me disa ndërprerje të vogla gjatë natës që është pjesa më sfilitëse.
Është turp që në vitin 2023 Shqipëria të jetë në këtë formulë numërimi, kur ne e pamë se sa shpejt doli rezultati me numërimin elektronik.
Isha e qartë që në fillim kur u futa në garë, ishte e pabarabartë, se i tillë është ngritur sistemi që gjithë resurset njerëzore, financiare, aksesin në media e kanë partitë e mëdha.
Është kalcifikuar ky lloj formati që vota të rrotullohet te vota e militantëve, materializohet te partia në pushtet me infulenca pushteti dhe partia në opozitë, me premtime pushteti.
Ne praktikisht na qeveris shumica e pakicës dhe shumica nuk shprehet fare me votë, e refuzojnë këtë realitet dhe këtë klasë politike. E dija që nuk do merrja vota militantësh.



