
Diplomati Arben Çejku deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se 6 kushtet e vendosura nga kryeministri Albin Kurti për asociacionin janë një lëvizje e tij drejt pranimit të marrëveshjes.
Duke vijuar shpjegimin e tij, Çejku tha se Kurti tashmë e ka pranuar se ka vetëm dy rrugë, të pranojë këtë marrëveshje ose të japë dorëheqjen e tij.
Sipas Çejkut ndaj Serbisë po ushtrohet një presion më i madh se ndaj Kosovës, por shtoi se ndërkombëtarët nuk janë të gatshëm të hyjnë në bisedime me këto kushte .
Deklaratat e Escobar janë vijueshmëri e një qëndrimi konsistent të SHBA në raport me bisedimet. Nuk ka surprizë, ka qartësim të mëtejshëm, sidomos në një nga pikat kryesore që është pranimi i marrëveshjes për asociacionin.
E kam thënë, presioni zhvillohet mbi të dy palët, nuk është vetëm mbi Prishtinën. Presioni më i madh është mbi Beogradin që duhet të pranojë Kosovën dhe të hapë rrugën që ka bllokuar prej kaq vitesh, për anëtarësimin e Kosovës në organizata. Kjo u pa dhe në zhvillimet në parlamentet e dy vendeve. U duk qartë që presioni ishte i dukshëm dhe kjo shkaktoi dhe tensione. Serbia duhet të hiqte propagandën e derimë tanishme. Tashmë Serbia duhet të zgjedhë përfundimisht. Pranimi i marrëveshjes franko gjermane dhe pranimi i sanksioneve do e rreshtonin përfundimisht në krahun euro-atlantik.
6 kushtet e Kurtit janë mekanizëm, janë kushte politike për të pranuar marrëveshjen, është hap përpara nga kryeministri Kurti, pranimi i marrëveshjes me kushte. Nuk jam optimist sa do merren parasysh pasi disa nga kushtet, psh paralelja me komunën Preshesës. Kosova ka humbur kohë me bisedimet me Serbinë dhe nuk ka mundur t'i përfshijë. Përpjekja për të lidhur me kushte është lëvizje e Kurtit drejt pranimit të marrëveshjes. Kurti ka pranuar që nuk ka rrugë tjetër që të pranojë marrëveshjen ose të largohet nga pushteti.
Mendoj që Kurti dhe kabineti i tij duhet të kishin llogaritur më mirë fuqinë e presionit ndërkombëtar. Fakti që ai e pranon asociacionin dhe kërkon t’i ndërrojë emrin, është si të blesh të njëjtin mall, por të ambalazhuar ndryshe. Qëndrimi i Escobar pas këtyre të deklaratave të Kurtit tregojnë që ndërkombëtaret nuk janë të gatshëm të hyjnë në bisedime për t'i diskutuar këto kushte.
Kushtet e tyre janë që çdo marrëveshje në lidhje me asociacionin duhet të jetë brenda Kushtetutës, sovranitetit të Kosovës, kjo është vija e kuqë. Garancitë e ofruara tregojnë që Kosovës nuk i çedohet sovraniteti.
Kemi pasur traditë si Shqipëri, asnjëherë nuk kemi kërkuar të jemi aktorë në proceset që ka kaluar, por faktor ndihmues dhe lehtësues. Përpjekjet që janë bërë para ca kohësh nga qeveria aktuale për të marrë rol, nuk kanë qenë të sakta dhe kanë krijuar ngërç mes Tiranës dhe Prishtinës, është më mirë që autoritetet e Prishtinës kanë marrë në dorë autoritetin që u takon. Nuk është e nevojshme të ketë intereferenca nga Tirana, aq më tepër që në proces janë të përfshirë BE dhe SHBA. Korniza është e garantuar në formatin e një koncepti euroatlanitik.
Serbia është në udhëkryq për të marrë një drejtim për dekadat e ardhshme, nëse do jetë shtet në varësi të politikave ruse, apo shtet në familjen euroatlantike.



