Kryeqyteti i Indonezisë, Xhakarta është qyteti më i ndotur në botë, sipas një studimi të ri, dhe Presidenti i vendit mund të ketë kollën që e provon diçka të tillë.
Ministrat në vendin e Azisë Juglindore konfirmuan këtë javë se Presidenti Joko Widodo po luftonte me kollën prej javësh dhe sugjeruan se diçka e tillë mund të lidhet me përkeqësimin e ndotjes së ajrit në qytetin prej 10 milionë banorësh.
Lajmi vjen vetëm disa ditë pasi kompania zvicerane IQAir publikoi të dhëna që tregonin se cilësia e ajrit të Xhakartës ishte përkeqësuar javët e fundit duke u bërë, qyteti me ajrin më të ndotur në botë.
“Presidenti Joko Widodo ka kërkuar që të ketë hapa konkretë për të trajtuar ndotjen e ajrit brenda një jave. Ai është kollitur për gati katër javë dhe është shprehur se nuk është ndjerë kurrë në këtë mënyrë”, u tha gazetarëve Ministri i Turizmit dhe Ekonomisë Kreative të Indonezisë Sandiaga Uno pas një takimi parlamentar midis ministrave në Xhakarta të hënën.
Uno tha se mjekët ishin ende duke diagnostikuar shkakun e kollitjes së Widodo-s, por shtoi se kjo mund të lidhet me përkeqësimin e cilësisë së ajrit, raporton CNN.
Të nesërmen, Ministri i Shëndetësisë Budi Gunadi Sadikin vuri në dukje se Presidenti po luftonte me një kollë të rënduar dhe tha se ministria e tij po shtonte testet në popullatën e përgjithshme për të parë nëse kishte pasur një rritje të sëmundjeve të mushkërive dhe të frymëmarrjes si astma në zonat shumë të ndotura.
Të gjitha raportet për ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin publik do të koordinohen me ministritë dhe agjencitë zyrtare përkatëse për vlerësim.
Ndotja e ajrit ka pllakosur prej kohësh zonën e Xhakartës, me fabrika, termocentrale me qymyr si dhe trafik të rënduar, gjë që kontribuon në rritjen e smogut.
Në javët e fundit cilësia e ajrit në kryeqytet është bërë veçanërisht e keqe, duke u përkeqësuar në më të keqen në botë, sipas të dhënave të siguruara nga IQAir, një kompani zvicerane e teknologjisë së cilësisë së ajrit.
Më 9 gusht, Xhakarta kryesoi listën e qyteteve të ndotura pasi regjistroi nivele “të pashëndetshme” të ndotjes së ajrit pothuajse çdo ditë, tha kompania.
Xhakarta ishte renditur vazhdimisht në mesin e 10 qyteteve më të ndotura globalisht që nga maji, tha IQAir.



