
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është duke zhvilluar një takim me të rinjtë e Vaut të Dejës. Edhe në Vaun e Dejës, kryedemokrati është pritur me brohoritje e flamuj blu nga mbështetësit e Partisë Demokratike.
Gjatë takimit me të rinjtë u ngrit shqetësimi i kushteve të shkollave në zonat rurale si dhe për sfidat me të cilat u duhet të përballen nxënësve që vendosin të shkollohen në qytete.
“Kjo qeveri e ka lënë Shqipërinë në baltë dhe fëmijët e tyre në baltë. Kjo duket tek gjendja e arsimit universitar, që s’ka si të jetë më mirë kur gjendja e sistemit parauniversitar është siç e përshkrove ti. Në zona rurale ka paradokse të tilla, një mësues i përgatitur për një lëndë jep një lëndë tjetër. Kjo bëhet në fasadën e të ashtuquajturit portal. Shumë familje janë detyruar t’i çojnë fëmijët në shkolla private. Janë futur në borxhe,” shpreh Basha.
Po ashtu, Basha theksoi se me të në krye të qeverisë, Universitetet do të kthehen në qendra të përgatitjes së profesionistëve. Ai theksoi edhe një herë se do të ndryshohet ligji për Arsimin e Lartë.
Ndërsa, duke folur për uljen e investimeve në Shqipëri për shkak të taksimit, kreu i opozitës tha se ndërsa Rama e ka mendjen të sjellë punëtorë nga Bangladeshi, ai është i vendosur të sjellë investitorë nga Gjermania.
“Ai e ka mendjen të sjelli punëtorë nga Bangladeshi, ndërsa unë jam i vendosur të sjell investitorë nga Gjermania, nga Austria, nga Europa për të punësuar dhe për të mbajtur rininë e Vaut të Dejës, rininë Shkodrane, rininë Shqiptare. Këto janë 3 shtyllat kryesore me anë të cilave ne do të mundësojmë që rinia shqiptare të ketë të gjitha mundësitë të arsimohet dhe të punësohet në vendin e vet me paga të mira, me dinjitet dhe të shijojë jetën e të ndërtojë këtu të ardhmen e vet duke përfshirë familjen.
Synimi kryesor është që të kemi themelimin e familjeve të reja se ka rënë numri i familjeve të reja, i çifteve të reja. Pak na largohen në emigracion ndërsa çiftet e reja nuk kanë mundësi të bashkëjetojnë. Kur s’kanë mundësi të bashkëjetojnë, e kanë shumë më të vështirë të fillojnë të kenë fëmijë.
Masa e dytë është, që për çdo të porsalindur, prej ditës së parë të qeverisë Basha, për çdo të porsalindur deri në moshën 5 vjeç, ne do të paguajmë një bonus mujor, një çek mujor prej 30.000 lekësh të vjetra në muaj për të përballuar koston e një fëmije. Që nga pelenat kur është bebe, e deri 5 vjeç dhe po kështu për tekstet shkollore që përmenda”, tha Basha.



