Drejtori i Institutit Gjeopolitik në Kosovë Sadri Ramabaja komentoi përmes një lidhjeje skype në edicionin e lajmeve në MCN Tv zhvillimet e fundit në Kosovë, ku Lista Serbe vendosi të largohet nga institucionet pas pezullimit të drejtorit të Policisë në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriç.
Ramabaja tha se ka gjasa reale që në të ardhmen të ketë ngjarje të nxehta dhe akte dhune. Ai vuri në dukje se kemi të bëjmë me një skemë të Putinit për të shpërqendruar vëmendjen e botës nga Ukraina në Veri të Kosovës. Ndër të tjera Ramabaja tha se Vuçiç iu është dorëzuar elementëve radikalë brenda vendit.
Nuk kemi të bëjmë me vendimin e një partie autonome sepse nuk është parti autonome. Edhe vendimi i Beogradit nuk është vetëm i Beogradit, kanë informuar Moskën dhe Pekinin. Ka disa muaj që Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës kanë paralajmëruar skema të luftës së mundshme në Ballkan. Skema e Putinit për të shpërqendruar vëmendjen e botës nga Ukraina, ka ardhur koha që të jetësohet në Veri të Kosovës, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Ka tensione edhe në Beograd. Vuçiç ka luajtur në dy karrige, por tani ai ‘de facto’ ai është dorëzuar brenda elementëve radikalë, si në koalicionin qeverisës dhe elementi fashist në Parlamentin e Beogradit. Do kemi ngjarje të nxehta në javët në vijim. Gjasat janë reale që të ndodhin akte dhune, sepse brigadat e shërbimeve ruse dhe serbe, Wagneri është aktiv. Është fatkeqësi që Perëndimi s’e ka marrë seriozisht. Problematika e përplasjes mes NATO-s dhe Serbisë mos të bëhet në truallin e Kosovës, por të bartet brenda Serbisë. Kam përshtypjen se ata do shfrytëzojnë situatën dhe brenda pak ditëve mund të precipitojë në gjendje edhe më të ashpër. Ministri i Jashtëm serb është njeriu më pro rus në Ballkan dhe Evropë. Në këtë situatë Vuçiçi është dorëzuar dhe unë pres që do ketë përplasje edhe brenda Serbisë. Marrëveshja për Tregtinë e Lirë nën mbikëqyrjen e Procesit të Berlinit është garanci për trajtimin e barabartë të Kosovës. Ndërkaq, Ballkani i Hapur ishte ide ruso-serbe që i mbivendosej Procesit të Berlinit”.



