
Gjykata e Apelit në Durrës ka dënuar me 30 vjet burg të pandehurin Ndue Zefi, i akuzuar për vrasje të ndodhur në vitin 2019. Ngjarja atë kohë ka ndodhur për motive banale, ndërsa viktimë ka mbetur Martin Ndreca.
Që prej ditës kur ndodhi ngjarja, familja Zefi dhe Ndreca janë në gjakmarrje me njëra-tjetrën. 8 muaj pas vrasjes së 45-vjeçarit Martin Ndreca, vëllai i autorit u gjet i ekzekutuar në Fan të Mirditës. Ngjarja në vitin 2019 nisi për arsye banale, si një konflikt verbal për çështjen e rakisë teksa ishin duke e konsumuar në ambientet e një lokali, duke vijuar më pas me një përplasje fizike mes tyre.
Pas këtij moment, autori Ndue Zefi u largua nga ambjentet e lokalit duke shkuar në banesë, ku edhe mori armën e krimit. Ai priti deri në momentin që viktima Martin Ndreca ka dalë nga lokali bashkë me djalin 10-vjeçar dhe qëlloi me breshëri ndaj tij. Fatmirësisht plumbat nuk kapën të miturin, por 45-vjeçari ndërroi jetë në vend.



