Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn. Në njoftimin e PD-së thuhet se “në bashkëbisedimin e gjatë mes tyre nje vend të rëndësishëm zuri situata aktuale politike pas publikimit të provave për përfshirjen në trafik ndërkombëtar narkotikësh të bashkëpunëtorëve të afërt të Kryeministrit Rama, përfshirë ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri”.
Sipas njoftimit, Basha është shprehur se “për shkak të përkrahjes nga qeveria Rama, po pastron paratë e pista dhe inkriminon segmente të tëra të ekonomisë, përfshirë ndërtimin dhe sektorin bankar”.
Gjatë vizitës në Tiranë, Hahn pati një takim edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit, ndër të tjera kërkoi vëmendjen e posaçme të ekspertëve të EURALIUS që asistojnë në procesin e reformës në drejtësi, për atë që Meta e quajti “interpretimin e saktë të legjislacionit në interes të krijimit sa më të shpejtë e të besueshëm të institucioneve të reja të drejtësisë”.
Ky shqetësim i Metës që ndërkombëtarët të bëjnë një interpretim të saktë të legjislacionit dhe për krijimin e institucioneve të besueshme, tingëllon indirekt si një skepticizëm dhe duket si një qëndrim vetëm paksa më i moderuar ndaj ndërkokmbëtarëve se ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila pasi kritikoi dje ambasadorin Amerikan Donald Lu, nëpërmjet Petrit Vasilit, që aludoi për njëanshmërinë e tij në çështjen Tahiri, sot e shtoi dozën kur Luan Rama me tone më të forta e quajti ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri “një ushtar” (që i bindet vullnetit të mazhorancës), që sipas tij u largua pa dëgjuar mendimin e kësaj partie në komisionin për reformën zgjedhore .



