Tre hajdutë shqiptarë kanë kryer të paktën 115 vjedhje në Malcantone, zonë e Zvicrës në kufi me Italinë. Vjedhjet e dokumentuara janë pjesë e akuzës së lexuar para trupit gjykues të Gjykatës së Luganos, e cila pritet të japë dënimin.
Të tre shqiptarët e kanë pranuar akuzën dhe kanë treguar për mënyrën se si i realizonin vjedhjet. Tre hajdutët, përkatësisht 27, 29 e 36 vjeç, ndiqnin gjithmonë të njëjtin plan: niseshin me makinë nga Torino dhe parkonin në Dumenza, Alto Varesotto, për të kaluar më pas kufirin me Zvicrën në Astano.
Hyrjen në banesa e realizonin me teknikën e heqjes së cilindrit metalik ku futet çelësi i derës. Ata kanë kryer vjedhje që në total arrijnë vlerën 300 mijë franga. Madje në disa raste, treshja e hajdutëve kishin kohë edhe të flinin në shtëpitë që vidhnin, pasi ato ishin shumica shtëpi pushimi.
Të arrestuar në nëntor të vitit të kaluar, ata po përballen me akuzat e vjedhjes dhe dhunimit të banesave. Prokurori i çështjes ka kërkuar 3 – 3.5 vjet burg dhe heqjen e të drejtës për të hyrë në Zvicër për një periudhë 15-vjeçare.



